Pas javësh të tëra zërash, mohimesh dhe konfirmimesh të pjesshme, mbërritja e Kevin De Bruyne te Napoli është zyrtarisht në fazën përfundimtare. Mesfushori belg ka arritur një marrëveshje me klubin kampion të Italisë për një kontratë dyvjeçare deri më 30 qershor 2027, me një opsion për të vazhduar edhe për sezonin pasardhës.
Ish-lojtari 33-vjeçar i Manchester City do të përfitojë një pagë totale – mes rrogës dhe bonusit të firmës – afërsisht 10 milionë euro në vit, një shumë e rëndësishme që pasqyron vlerën dhe cilësinë e lojtarit. Negociatat, që kërkuan kohë veçanërisht për menaxhimin e të drejtave të imazhit, janë mbyllur në çdo detaj, me kapërcimin e një prej pengesave kryesore falë punës së presidentit Aurelio De Laurentiis dhe stafit të tij.
Data e vizitave mjekësore
Hapi i radhës do të jenë vizitat mjekësore, të cilat janë parashikuar të zhvillohen në Romë brenda fundit të kësaj jave, saktësisht të enjten. Nëse gjithçka do të shkojë sipas parashikimeve, nënshkrimi do të formalizohet së shpejti, duke vulosur një goditje të bujshme merkatoje për Napolin, që është i thirrur të përforcojë skuadrën për një sezon të ngarkuar në disa fronte. Gjithashtu, është edhe goditja e parë me peshë për Serie A në këtë sesion merkatoje.
Fjalët e presidentit të Napolit
Presidenti De Laurentiis e kishte paralajmëruar këtë tratativë disa javë më parë, duke theksuar rëndësinë e operacionit: “Operacioni De Bruyne ka lindur tre muaj më parë. Nuk është më i rëndësishmi. Pse? De Bruyne është një futbollist klasi, këtë e dimë, edhe pse me një moshë të caktuar. E dimë shumë mirë që është një pjesë që i shtohet një skuadre që duhet të përforcohet, kemi për të përballuar katër kompeticione. Është një çështje matematikore. Do të ketë shumë shtesa. Na pëlqen të punojmë mirë, na pëlqen të mos lëmë asgjë rastësie”, kishte thënë presidenti i klubit napolitan. Klubi ka punuar me përpikëri për të finalizuar një përforcim të nivelit ndërkombëtar, që zgjeron grupin e talenteve dhe përvojën e skuadrës, në një perspektivë konkurruese totale.
De Bruyne në super formë
Gjithashtu, futbollisti ka shënuar së fundmi golin vendimtar në fitoren e Belgjikës ndaj Uellsit në kualifikueset për Botërorin, duke treguar se është ende në formë të shkëlqyer. Në mënyrë interesante, pikërisht te kjo kombëtare belge ai do të gjejë edhe një tjetër shok të ri skuadre te Napoli, Romelu Lukaku, me të cilin ka pasur përplasje të forta në Premier League, por që tani do të veshin së bashku fanellën napolitane.