Kukësi është përfshirë nga moti i keq gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, me erëra të forta, shtrëngata dhe reshje intensive shiu. Reshjet u paraprinë nga shkarkesa të forta elektrike. Shiu ka rënë për gati tre orë pandërprerë, duke përfshirë jo vetëm Kukësin, por të gjithë zonën veriore të vendit.
Këto reshje intensive kanë ndihmuar në shuarjen e disa vatrave aktive të zjarrit, sidomos në zonën e Fushë Arrëzit. Ndërkohë, për shkak të reshjeve të dendura, janë raportuar rrëshqitje dherash dhe gurësh në disa akse rrugore. Megjithatë, deri në këto momente nuk është raportuar për bllokime të rrugëve. Autoritetet lokale janë në terren duke ndërhyrë për largimin e gurëve e dherave nga rruga.