Ministria e Mbrojtjes bën bilancin: 33 zjarre në 24 orë, 6 vatra vijojnë aktive

33 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa 6 prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe 10 të tjera po mbahen nën mbikëqyrje.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se për përballimin e situatës janë angazhuar 214 forca operacionale dhe 30 automjete zjarrfikëse. Në operacione janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura, me 60 efektivë, 3 automjete zjarrfikëse, një ekskavator të rëndë me zinxhir, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.

Ndërhyrjet vijojnë në disa qarqe, me fokus të veçantë në Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër dhe Durrës.

Në Malin e Dajtit vijon puna për shuarjen e vatrave aktive, ndërsa sipas autoriteteve nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në zonën Gojan–Gjegjan–Tërbun, në Bashkinë Pukë, situata është vënë nën kontroll pas ndërhyrjes së forcave vendore dhe Forcave të Armatosura. Për mbështetjen e operacionit janë angazhuar edhe 40 efektivë të FA-së dhe një helikopter. Nuk raportohet rrezik për banesat, ndërsa vatra në Prozhëm vijon të jetë aktive dhe po punohet për izolimin e saj.

Në qarkun e Dibrës, aktive mbeten vatrat në Ballenjë dhe Qafë të Helmës, ndërsa zjarri në Bërshi mbahet nën monitorim.

Në Mirditë, vatra në Shtuf vijon aktive. Ndërkohë, zjarret në Lufaj dhe Tenë janë izoluar dhe po monitorohen për të parandaluar riaktivizimin.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në bashkëpunim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të emergjencave.

Autoritetet deklarojnë se prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë, ndërsa kapacitetet operacionale vijojnë të jenë në gatishmëri për ndërhyrje në zonat ku paraqitet nevoja.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top