Ministri i Jashtëm gjerman: Hapja e grupkapitujve nuk do të thotë se ata janë mbyllur

Berlini vijon të mos japë një vlerësim të drejtpërdrejtë për protestat në Shqipëri. I pyetur për to nga DW, ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul zgjodhi te fliste për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe parakushtet e procesit të anëtarësimit.

“Për sa i përket procesit të anëtarësimit në BE, e dini se Gjermania është një mbështetëse e fortë e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Por anëtarësimi mund të realizohet vetëm në varësi të përparimit në përafrimin me acquis-in e Bashkimit Evropian. Kjo shqyrtohet në një procedurë shumë të hollësishme”, tha Wadephul të premten, më 10 korrik 2026, në Berlin, pas një takimi me homologun e tij slloven Tone Kajzer.

Me acquis-in e BE-së kuptohet tërësia e rregullave, ligjeve dhe detyrimeve që duhet të zbatojë një vend anëtar.

Hapja e grupkapitujve nuk është përfundimi i procesit

Wadephul përmendi hapjen e disa grupkapitujve të rinj në negociatat me Shqipërinë. Gjermania e ka mbështetur këtë hap, por ministri paralajmëroi se hapja e tyre nuk duhet ngatërruar me përfundimin e negociatave.

“Për Shqipërinë janë hapur tani disa grupkapituj të rinj. Gjermania e ka mbështetur këtë. Por hapja e grupkapitujve nuk do të thotë se ata janë mbyllur. Kjo është detyrë e Komisionit dhe atje procesi është në duar të mira. Kur të ketë rezultate, qeveria federale mund të mbajë qëndrim. Sot kjo ende nuk është e mundur”, tha Wadephul.

Megjithatë, rëndësia gjeopolitike e zgjerimit nuk i zëvendëson kriteret e anëtarësimit. Edhe ministri i Jashtëm slloven Tone Kajzer tha se vendi i tij dhe Gjermania ndjekin të njëjtën linjë.

“Ne e mbështesim zgjerimin si një nga prioritetet e qeverisë së re, por mbi bazën e përparimit dhe përmbushjes së kritereve”,tha ai.

Ministri slloven theksoi gjithashtu përvojën e vendit të tij nga procesi i anëtarësimit në BE.

“Ne kemi ende njëfarë përvoje nga koha kur Sllovenia iu bashkua Bashkimit Evropian. Edhe në këtë fushë do të bashkëpunojmë më intensivisht me Gjermaninë”, tha ai.

Samiti i NATO-s: vendi është përcaktuar, data jo

Një pyetje tjetër e DW-së lidhej me samitin e ardhshëm të NATO-s në Shqipëri. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se takimi i ardhshëm do të zhvillohet në Shqipëri, por koha e saktë nuk është vendosur ende. Wadephul nuk shprehu kundërshtim ndaj Shqipërisë si vend pritës, por la të hapur nëse samiti do të mbahet vitin e ardhshëm.

“Çështjen nëse dhe kur do të zhvillohen samite ia lë Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s që ta diskutojë dhe negociojë me vendet partnere. Kam thënë edhe para samitit të fundit se Gjermania është e hapur. Ne nuk jemi dogmatikë në këtë çështje. Mund të ketë sërish një samit vitin e ardhshëm, por samitet vjetore nuk kanë qenë normale në historinë e NATO-s. Zakonisht ato janë zhvilluar në një ritëm dyvjeçar ose pas disa vitesh”, shtoi Wadephul.

Sipas tij, vendimi do të varet edhe nga situata e sigurisë brenda Aleancës së Atlantikut të Veriut./DW

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top