Ministri i Brendshëm francez: Vendi mund të përballet me dhunë për shkak të zgjedhjeve

Franca mund të përballet me trazira civile dhe dhunë në lidhje me zgjedhjet e parakohshme, tha të hënën ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin.

“Ka mundësi se do të ketë tensione tejet të mëdha”, tha Darmanin për RTL radio, duke shtuar se autoritetet janë duke u përgatitur për një situatë “shumë të ndjeshme”, pasi votimi do të mbahet më pak se një muaj para Lojërave Olimpike Parisi 2024.

Presidenti Emmanuel Macron, i cili e tronditi kombin kur njoftoi vendimin për ta shpërndarë Parlamentin francez në fillim të këtij muaji, nuk merr pjesë në zgjedhje. Megjithatë, këto zgjedhje perceptohen si referendum për fatin e Macronit, i cili dikur shihej si president i aftë për t’i tejkaluar ndarjet politike, por popullariteti i tij ka rënë tani pas disa krizave politike.

“Unë ju besoj”, u tha Macroni votuesve në një “letër drejtuar francezëve”, e cila u publikua të dielën.

Në letër, ai kërkoi ta paraqesë kampin e tij, i cili në sondazhe ngel mbrapa të djathtës ekstreme dhe pas aleancës së porsaformuar majtiste, si shpresën e fundit për stabilitet.

“Unë nuk jam i verbër: jam i vetëdijshëm për krizën demokratike”, shtoi ai.

Macroni e përsëriti gjithashtu se do ta mbajë pozitën e presidentit derisa t’i përfundojë mandati më 2027, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve. Më 9 qershor, Macron e shpërndau Parlamentin francez dhe shpalli zgjedhje të parakohshme, pas fitores së madhe të partisë së të djathtës ekstreme në zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Franca do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 30 qershor dhe 7 korrik. Sondazhet sugjerojnë se ekstremi i djathtë mund të fitojë./ REL

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top