Ministrat e Jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës takim në Shtëpinë e Bardhë

Ministrat e Jashtëm të Danimarkës dhe të Groenlandës do të ndodhen sot në Shtëpinë e Bardhë për bisedime me synimin e uljes së krizës që lidhet me ishullin gjigant të Arktikut, një territor autonom që i përket Danimarkës dhe të cilin presidenti amerikan Donald Trump dëshiron ta vendosë nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara.

Pas rikthimit të tij në presidencë, Trump i është referuar shpesh mundësisë që SHBA-të të marrin kontrollin e Groenlandës, një ishull me popullsi të rrallë, por me pozicion strategjik.

Këto kërcënime po perceptohen ndryshe pas operacionit amerikan në Karakas në fillim të këtij muaji, i cili çoi në kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro.

Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, kishte kërkuar zhvillimin e bisedimeve me homologun e tij amerikan, Marco Rubio. Megjithatë, takimi do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë, pasi në të kërkoi të marrë pjesë edhe zëvendëspresidenti amerikan, J.D. Vance.

Rasmussen ka deklaruar se shpreson që gjatë këtij takimi të sqarohen “disa keqkuptime”, në një kohë kur Danimarka dhe Groenlanda hedhin poshtë kategorikisht mundësinë që kontrolli i ishullit t’u kalojë SHBA-ve, pavarësisht se presidenti amerikan përsëriti të dielën se këtë do ta bëjë “me mënyrën e lehtë ose me atë të vështirë”.

Republikani miliarder thekson se SHBA-të kanë nevojë për Groenlandën për të frenuar zgjerimin e Rusisë dhe Kinës në Arktik.

Sipas Penny Naas, studiuese në German Marshall Fund të SHBA-ve (GMFUS), një institut për studimin e marrëdhënieve transatlantike, takimi i sotëm mund të jetë i shkurtër, nëse amerikanët këmbëngulin në kërkesën e tyre për të marrë Groenlandën pavarësisht kostos.

Megjithatë, “nëse ka një nuancë të vogël diferencimi, kjo mund të çojë në një diskutim ndryshe”, vlerësoi ajo.

“Po përballemi me një krizë gjeopolitike dhe, nëse duhet të zgjedhim mes SHBA-ve dhe Danimarkës në këtë moment, ne zgjedhim Danimarkën”, deklaroi dje, të martën, kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, gjatë një konference për shtyp në Kopenhagë.

“Groenlanda nuk do t’u përkasë SHBA-ve. Groenlanda nuk do të qeveriset nga SHBA-të. Groenlanda nuk do të bëhet pjesë e SHBA-ve”, theksoi ai.

I pyetur për këto deklarata të Nielsenit, Trump u përgjigj: “Epo, ky është problemi i tyre”. “Nuk di asgjë (për kryeministrin e Groenlandës), por kjo do të shndërrohet në një problem të madh për të”, shtoi ai.

Në krah të Nielsenit u rreshtua edhe kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, e cila vlerësoi se nuk është e lehtë t’i rezistosh “presionit krejtësisht të papranueshëm nga aleati ynë më i afërt”.

Danimarka, vend anëtar i NATO-s, hedh poshtë akuzat amerikane se nuk e mbron mjaftueshëm Groenlandën nga Rusia dhe Kina. Kopenhaga kujton se, ndër të tjera, ka investuar afro 90 miliardë korona daneze (rreth 12 miliardë euro) për forcimin e pranisë së saj ushtarake në Arktik.

Pak pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, një delegacion i Kongresit amerikan, i përbërë kryesisht nga demokratë, por edhe nga një republikan, do të udhëtojë drejt Kopenhagës për të shprehur solidaritetin me Danimarkën.

“Kërcënimet e vazhdueshme të presidentit Trump ndaj Groenlandës janë të kota dhe nuk bëjnë asgjë tjetër veçse dobësojnë aleancën tonë brenda NATO-s”, deklaroi senatori demokrat Dick Durbin, i cili do të marrë pjesë në këtë delegacion.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top