Pushimi për kombëtaret i la trashëgim Stefano Piolit dëmtimin e Kalulu, por i rikthen trajnerit të Milan dy lojtarë kyç. Maignan dhe Leao vijnë të rigjeneruar nga eksperiencat me fanellat e Francës dhe Portugalisë. Portieri ishte protagonisti absolut i fitores së dyfishtë të nënkampionëve të botës. Maignan ndali një penallti dhe një pritje ndaj Irlandës që bëri xhiron e botës. Sulmuesi, në anën tjetër, më në fund gjeti sërish golin pas 71 ditësh në të thatë dhe u kthye në Milanello një ditë më herët.
Pioli beson shumë te yjet e tij për një finale të sezonit, në të cilin Milan do të përpiqet të ngjisë malin Napoli në Evropë. E mbi të gjitha do të duhet të mbrojë vendin e katërt në kampionat për të siguruar kualifikimin në Champions. Arritja është thelbësore për bilancet dhe arkat e klubit dhe gjithashtu e nevojshme për të blinduar xhevahiret Maignan dhe Leao.
Portieri i ardhur nga Lille për 15 milionë euro në verën e vitit 2021 tani vlen të paktën 60. Kontrata e Maignan skadon në vitin 2026, por duke pasur parasysh performancën e lartë dhe interesin e pandërprerë nga emrat e mëdhenj, Milan nuk dëshiron të rrezikojë. Kështu Maldini e të tjerët po përgatitin planin për ta blinduar francezin. Sipas Corriere della Sera, portieri është mirë në Milano dhe tashmë i ka bërë të ditur drejtuesve se dëshiron të qëndrojë. Por klubi duhet të rregullojë pagën e tij në 3 milionë plus bonuse (aktualisht fiton 2.8).
SITUATA E LEAO
Për ta bërë këtë, nevojiten paratë nga Champions. Arkëtimet do të jenë të nevojshme për të bindur Leao të zgjasë kontratën që skadon në vitin 2024. Edhe Rafa ndihet mirë te kuqezinjtë dhe ambjenti është optimist, pavarësisht problemeve të ndryshme. Megjithatë, Milani nuk dëshiron të presë më dhe duhet të ketë një takim me stafin e portugezit në javët në vijim.
Për momentin, asnjë ofertë konkrete nuk ka mbërritur, por Premier League po e vëzhgon. Milan sigurisht që nuk dëshiron të humbasë Leao me parametër zero. Asnjë ultimatum, siç nënvizohet edhe në Twitter nga vetë portugezi, por ose të rinovohet ose do të jetë lamtumirë në verë.