Aktorja Mila Kunis ka zbuluar detaje tronditëse për përgatitjen e saj fizike për rolin në filmin psikologjik “Black Swan”, ku luajti përkrah Natalie Portman.
Në një intervistë të re për Vogue, Kunis, tashmë 42 vjeçe, tha:
“Përgatitja ime ishte shumë kërcim dhe shumë pak ushqim — e di që nuk duhet ta thuash këtë, por është e vërteta.”
Aktorja rrëfeu se gjatë atyre muajve pinte vetëm lëng kockash dhe stërvitej për 12 orë në ditë.
Ajo dhe Portman mendonin fillimisht se do të kishin tre muaj kohë për t’u përgatitur për rolet si balerina profesioniste, por për shkak të problemeve me financimin, xhirimet u shtynë për gjashtë muaj.
“Për Darren (Aronofsky, regjisori), ishte e vështirë, por unë dhe Nat u gëzuam sepse kishim tre muaj shtesë për të kërcyer,” tha Kunis.
Gjatë xhirimeve, Kunis pësoi edhe dëmtime fizike.
“Xhironim skenat për orë të tëra, dhe kisha mavijosje në gjithë brinjët nga ngritjet e shumta,” tregoi ajo.
“E nxora edhe supin nga vendi që në fillim të xhirimeve dhe mendova se gjithçka kishte mbaruar për mua, por Darren më çoi te një akupunkturist dhe për çudi, u rikuperova.”
Kunis kishte folur për herë të parë për humbjen ekstreme në peshë në një intervistë në vitin 2012 për Harper’s Bazaar, ku zbuloi se kishte humbur rreth 9 kg dhe se trupi i saj nuk ishte rikthyer kurrë në formën e mëparshme.
E pyetur nëse do pranonte sërish një rol që kërkon ndryshime drastike në peshë, Kunis u përgjigj:
“Nuk mund të them që do e prisja me padurim, por nëse do vinte një ofertë e mirë, do e konsideroja.”