Michael Jordan nuk ka qenë një fenomen vetëm në parket. Kampioni legjendar e ka lënë topin e basketbollit që prej më shumë se 20 vitesh, megjithatë është ende në qendër të vëmendjes, jo vetëm për prestigjin, por edhe për fitimet. Ndryshe nga shumë sportistë të tjerë, ai që konsiderohet si basketbollisti më i madh i të gjitha kohërave, ka ditur të rizbulojë veten edhe në fushën e sipërmarrjes: edhe pse nuk është më aktiv, ai është padyshim sportisti më i paguar në botë, me shifra marramendëse që i bëjnë hije edhe kolegëve më të rinj.
Sportisti më i paguar në botë, 22 vjet pas tërheqjes
Në krye të listës së sportistëve më të paguar në botë qëndron pikërisht ikona e Chicago Bulls. Revista Sportico ka hartuar renditjen e 100 sportistëve dhe ish-sportistëve më të pasur, duke analizuar në detaje fitimet e tyre si gjatë karrierës ashtu edhe pas saj. Mjafton të mendosh që vetëm sezonin e kaluar ky grup kampionësh ka fituar gjithsej 6.2 miliardë dollarë nga paga, shpërblime dhe sponsorizime. Vetëm në vitin 2024, Jordan ka fituar 300 milionë dollarë, ose rreth 265 milionë euro. Kjo e çon totalin e fitimeve të tij në karrierë në 3 miliardë dollarë (2.65 miliardë euro), ose rreth 4.15 miliardë dollarë të korrigjuara për inflacionin.
Michael Jordan ende më i paguari – nga vijnë fitimet
Një pjesë e madhe e fitimeve të Michael Jordan vijnë nga Nike, marka sportive me të cilën ka një marrëveshje të përjetshme dhe që i ka kushtuar një linjë të tërë. Air Jordan, e cila nisi në vitin 1984 me një kontratë prej 500 mijë dollarësh në vit dhe përqindje nga shitjet e atleteve me emrin e tij. Xhiroja e markës Jordan ndër vite, edhe pas tërheqjes së tij, ka mbetur e qëndrueshme duke përfituar edhe nga zgjerimi në veshjet për femra, artikuj jo të lidhur drejtpërdrejt me basketbollin dhe shitjet ndërkombëtare. Edhe pse të ardhurat nga linja basketbollistike janë në rënie (diçka normale pasi ai nuk luan më), ato nga linjat vintage dhe lifestyle janë në rritje. Pra, pavarësisht ulje-ngritjeve, Michael Jordan mbetet dhe do të mbetet një figurë kyçe për Nike.
MJ mbështetet gjithashtu në sponsorizime të tjera afatgjata si Gatorade, Five Star, Upper Deck dhe 2K, si dhe ka ditur të investojë në sektorë të ndryshëm: zotëron aksione në Axiomatic, tekila Cincoro, DraftKings, Sportradar dhe në fondin e kapitalit Courtside Ventures. Marrëdhënia e tij me sportin mbetet e fortë edhe falë pronësisë së ekipit të NASCAR, 23XI Racing. Nuanca e tij për biznes u konfirmua edhe me një lëvizje në botën e basketbollit: shitja e Charlotte Hornets, ekip që ai drejtoi për 13 vite. Kjo shitje i solli një fitim të jashtëzakonshëm me një rritje të madhe në vlerë.
Jordan dhe sportistët e tjerë më të paguar në botë
Në renditjen e 100 sportistëve më të paguar në botë, Michael Jordan qëndron në majë, përpara Tiger Woods (2.79 miliardë dollarë, me inflacion), Cristiano Ronaldo (2.23 miliardë dollarë) dhe LeBron James (1.88 miliardë dollarë). Në top 50, vetëm 18 prej tyre janë ende aktivë, çka tregon aftësinë e kampionëve të djeshëm për të menaxhuar pasurinë. Top 10 plotësohet nga Messi, golfistët Palmer dhe Nicklaus, më pas David Beckham (1.61 miliardë dollarë me inflacion), ikona e tenisit Roger Federer (1.59 miliardë dollarë) dhe boksieri Floyd Mayweather (1.52 miliardë dollarë). E vetmja grua në top 50 është Serena Williams, në vendin e 40-të, me 485 milionë dollarë (660 milionë dollarë me inflacion).