Kancelari gjerman Friedrich Merz ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gjatë kthimit të këtij të fundit nga Kina, ku në qendër të diskutimeve kanë qenë zhvillimet më të fundit gjeopolitike, përfshirë tensionet në Lindjen e Mesme, çështjen e Iranit, situatën në Ukrainë dhe koordinimin mes Berlinit dhe Uashingtonit përpara samitit të NATO-s në Ankara.
Në një postim në rrjete sociale, Merz theksoi se të dy palët ndajnë qëndrime të përbashkëta për disa prej çështjeve më të ndjeshme ndërkombëtare, duke nisur nga programi bërthamor iranian dhe siguria në Ngushticën e Hormuzit, deri te nevoja për një zgjidhje diplomatike të luftës në Ukrainë.
“Pata një telefonatë të mirë me Donald Trump gjatë udhëtimit të tij të kthimit nga Kina. Ne biem dakord: Irani duhet të ulet në tryezën e negociatave; duhet të hapë Ngushticën e Hormuzit; Teherani nuk duhet të ketë armë bërthamore. Po ashtu diskutuam për një zgjidhje paqësore për Ukrainën dhe koordinuam qëndrimet tona përpara samitit të NATO-s në Ankara. Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania mbeten partnerë të fortë në një NATO të fortë”, shkroi kancelari gjerman.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur situata në Lindjen e Mesme mbetet e tensionuar dhe frika për përshkallëzim në Ngushticën e Hormuzit konsiderohet një nga rreziqet më të mëdha për tregjet globale të energjisë dhe sigurinë ndërkombëtare.
Paralelisht me zhvillimet diplomatike, Merz ka pranuar publikisht edhe vështirësitë e brendshme të koalicionit qeverisës mes konservatorëve dhe socialdemokratëve në Gjermani. Duke folur në Konventën Katolike Gjermane në Würzburg, ai ka deklaruar se shpesh në qeveri ka shumë diskutime, por jo gjithmonë rezultate konkrete, duke sinjalizuar nevojën për më shumë efikasitet dhe unitet politik.
Sipas tij, qeveria federale po përgatit një paketë të gjerë reformash që përfshin ndryshime në sistemin fiskal, tregun e punës, reformën e pensioneve dhe reduktimin e burokracisë, me synimin që këto masa të miratohen para pushimeve të verës. Megjithatë, në javët e fundit janë shënuar përplasje të përsëritura brenda koalicionit, çka ka shtuar presionin politik mbi kancelarin.
Merz ka pranuar gjithashtu se komunikimi i qeverisë me publikun nuk ka qenë në nivelin e duhur, duke shtuar se një nga sfidat e tij kryesore është të shpjegojë më qartë politikat e qeverisë dhe të rrisë besimin e qytetarëve. Ai tha se gjithnjë e më shpesh përballet me pyetjen pse qeveria nuk po arrin të bindë opinionin publik për kursin e saj politik.
Në të njëjtën linjë, sondazhet e fundit në Gjermani tregojnë një rënie të ndjeshme të mbështetjes për qeverinë, ku vetëm një pjesë e vogël e qytetarëve shprehen të kënaqur me punën e saj pas një viti në detyrë, ndërsa edhe vlerësimet për kancelarin kanë pësuar rënie.
Gjatë fjalimit në Würzburg, diskutimi i Merz u ndërpre përkohësisht nga disa aktivistë klimatikë që protestuan brenda sallës, duke detyruar ndërhyrjen e sigurisë. Pas largimit të tyre, eventi vijoi normalisht, ndërsa kancelari theksoi se demokracia përfshin edhe mosmarrëveshjet, por këto duhet të çojnë në vendimmarrje konkrete.
Ai u ndal edhe te situata sociale dhe ekonomike në Gjermani, duke theksuar se vendi ka nevojë për një “shtytje kolektive” për të përballuar sfidat aktuale dhe për të rritur konkurrueshmërinë. Sipas tij, Gjermania duhet të forcojë sistemin e saj të ekonomisë sociale të tregut, në kontrast me atë që e quajti kapitalizëm të pakufizuar në disa vende të tjera.
Në një moment që ka tërhequr vëmendje të gjerë, Merz shprehu edhe kritika ndaj zhvillimeve në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se nuk do t’u rekomandonte më fëmijëve të tij studime apo karrierë atje, për shkak të klimës aktuale shoqërore që, sipas tij, është ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit.