Në një moment kur Europa përballet me kërcënime të jashtme, trazira të brendshme dhe një rishikim të rolit të saj global, partneriteti franko-gjerman, motori tradicional i integrimit europian, po rënkon nën peshën e mosmarrëveshjeve të vjetra dhe interesave kombëtare gjithnjë e më të mprehta. Takimet miqësore dhe fjalët e bukura mes presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit të ri gjerman Friedrich Merz nuk arrijnë dot të maskojnë faktin se bashkëpunimi mes dy fuqive më të mëdha të BE-së po ngec përballë dallimeve të thella mbi mbrojtjen, tregtinë dhe të ardhmen strategjike të kontinentit. Ndërsa koha për kompromis po mbaron, rreziku që Europa të mbetet pa një drejtim të përbashkët është më i madh se kurrë.
Politico:
Kur Presidenti francez Emmanuel Macron mbërrin mbrëmjen e së mërkurës në një vilë në periferi të Berlinit, ku pritet të bëjë një shëtitje, të dëgjojë një performancë me trompë dhe të darkojë me kancelarin gjerman Friedrich Merz, të dy liderët ka gjasa të shfaqin plot përqafime shoqërore dhe atmosferë miqësore.
Në fund të fundit, në ditën e parë të plotë të Merz në detyrë në maj, ai udhëtoi në Paris dhe premtoi “një fillim të ri franko-gjerman për Europën” pas viteve të marrëdhënieve të tensionuara mes Macron dhe paraardhësit të Merz-it, Olaf Scholz. Merz tha në atë kohë se ai tashmë kishte zhvilluar një “lidhje personale të thellë” me liderin francez që do t’i ndihmonte ata të punonin së bashku.
“Atmsofera është krejtësisht ndryshe,” tha një zyrtar i lartë i qeverisë gjermane me njohuri të thella për marrëdhëniet franko-gjermane. “Nuk kam përjetuar kurrë një lloj të tillë ndërveprimi në gjithë këto vite.”
Parisi mendon njësoj. “Refleksi franko-gjerman është rizbuluar,” tha një zyrtar i Elizesë.
Por, pavarësisht atmosferës pozitive dhe bashkëpunimit të shtuar në fusha të politikës si çregullimi dhe migracioni, liderët po e gjejnë gjithnjë e më të vështirë të fshehin një realitet të pakëndshëm: Ristartimi i premtuar i motorit franko-gjerman që për një kohë të gjatë e ka shtyrë përpara Bashkimin Europian, tashmë po ngec, ndërsa Merz dhe Macron përballen me një sërë ndarjesh të pazgjidhshme mbi gjithçka nga mbrojtja te tregtia.
Një nga ndryshimet kryesore mes kancelarit aktual gjerman dhe paraardhësit të tij është se Scholz e njihte sa e vështirë do të ishte të zgjidheshin dallimet kryesore franko-gjermane, dhe nuk donte të shpenzonte energji të madhe për të arritur diçka gati të pamundur, tha për POLITICO një ligjvënës konservator që fokusohet në çështjet e jashtme.
“Scholz dështoi sepse është i zgjuar dhe thjesht e kuptoi sa e vështirë është dhe më pas humbi interesin,” tha ligjvënësi. “Ne kemi dëshirën” që marrëdhënia franko-gjermane të funksionojë, shtoi ai, “por mbetet ende e vështirë.”
Marrëveshje e re, përçarje më të thella
Merz dhe Macron kanë shumë të përbashkëta kur vjen puna tek prirja e tyre pro-biznesit dhe dëshira për më pak rregullim. Ndoshta shembulli më i mirë i kësaj ishte bashkëpunimi i muajit të kaluar mes të dyve për të zbutur një ligj mbi kujdesin e duhur (due diligence) që synonte të sillte mbrojtje në stilin e BE-së për zinxhirët globalë të furnizimit.
Një tjetër fushë me pajtueshmëri në rritje është ajo e energjisë bërthamore. Në maj, ministrja e ekonomisë e Merz-it, Katherina Reiche, sinjalizoi se Berlini ishte i gatshëm të heqë dorë nga kundërshtimi i tij i kahershëm për ta klasifikuar energjinë bërthamore si një burim të ripërtëritshëm energjie, gjë që mund të përfundojë një përplasje të vazhdueshme që e ka ndërlikuar politikën energjetike të BE-së. (Megjithatë, partnerët më të vegjël të koalicionit të Merz-it, Social Demokratët, e kundërshtojnë këtë lëvizje.)
Të dy udhëheqësit janë gjithashtu gjithnjë e më shumë të përafruar në reduktimin në mënyrë drastike të numrit të azilkërkuesve që vijnë në Evropë. Një tjetër fushë e mundshme bashkëpunimi mund të përfshijë garancinë bërthamore të Francës dhe një marrëveshje të mundshme për mënyrën se si francezët mund ta përdorin atë për të kontribuar në sigurinë më të gjerë evropiane. “Kjo nuk është një debat që zhvillohet nën dritën e mediave,” tha zyrtari i Elizesë.
Por mosmarrëveshjet themelore që lidhen me tregtinë dhe mbrojtjen kanë parë pak hapa afrimi. “Ka dy çështje madhore që Gjermania dhe Franca duhet të zgjidhin që ne të bëjmë vërtet përparim,” tha Roland Theis, një ligjvënës konservator gjerman që specializohet në marrëdhëniet e Berlinit me Parisin.
Mbrojtja dhe tregtia
Përçarjet mbi mbrojtjen dolën qartë në pah në fillim të këtij muaji kur Presidenti amerikan Donald Trump mbështeti një nismë gjermane që europianët të furnizonin Ukrainën me armë të prodhuara në Amerikë. Ndërsa vendet nordike dhe Britania e Madhe e mbështetën planin, Franca ishte kundër, në përputhje me shtytjen e kahershme të Macron-it që Evropa të prodhojë më shumë armë në mënyrë lokale dhe të reduktojë varësinë nga SHBA.
Mosmarrëveshjet mes Francës dhe Gjermanisë gjithashtu kërcënojnë të prishin një projekt europian për të zhvilluar një avion luftarak të gjeneratës së ardhshme që do ta bënte bllokun më pak të varur nga F-35-t amerikane. Zyrtari i Elizesë e minimizoi përçarjen për programin e avionëve luftarakë, duke thënë se Merz dhe Macron “duan të ecin përpara.”
Por disa nga përçarjet më të thella vazhdojnë të sillen rreth tregtisë. Merz po shtyn që BE-ja të arrijë një marrëveshje të shpejtë dhe të thjeshtë tregtare me SHBA për të i dhënë fund luftërave tregtare të Trump-it që po godasin në mënyrë të veçantë industritë gjermane. Ndërkohë, francezët po shtyjnë për një qasje më të ashpër dhe kushte më të mira.
Ndërsa Merz po shtyn për marrëveshje të lira tregtare me pjesë të tjera të botës, gjermanët po përballen gjithashtu me rezistencë franceze për një marrëveshje të BE-së me bllokun tregtar të Amerikës së Jugut, Mercosur, me Macron-in të shqetësuar për të mbrojtur komunitetin e tij të vogël por politikisht të fuqishëm të fermerëve nga importet e reja të mishit.
E vetmja mënyrë për të kapërcyer këto dallime është që gjermanët të afrohen më shumë me francezët për çështjet e mbrojtjes, dhe që Franca të afrohet më shumë me Gjermaninë për çështjet tregtare, thotë ligjvënësi gjerman Theis.
“Pas çdo shtytjeje franceze për një europianizim më të madh të armatimeve tona, Gjermania gjithmonë sheh një Kalë Troje që u lejon francezëve të transportojnë interesat e tyre, veçanërisht sa i përket industrisë së tyre të armëve. Duhet ta kapërcejmë këtë,” tha ai.
Në të njëjtën kohë, ai shtoi, “francezët duhet të lëvizin për çështjen e tregtisë së lirë. Ashtu siç duhet të bëhemi më të pavarur nga SHBA në aspektin e mbrojtjes, [Europa] gjithashtu duhet të bëhet më e pavarur nga SHBA në aspektin e marrëdhënieve tregtare.”
Dritarja e mundësive po mbyllet
Si Macron ashtu edhe Merz do të duhet, me shumë gjasë, të zemërojnë elektorate kyçe në vendin e tyre për të shtyrë përpara aleancën, sipas ekspertëve.
“Kancelari dhe presidenti janë në një dilemë,” tha Jacob Ross, një studiues i përqendruar në marrëdhëniet franko-gjermane në Këshillin Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë. “Ata duhet të sakrifikojnë gjëra në politikën e brendshme për të bërë përparim në politikën e jashtme.”
Por momenti për kompromis mund të humbasë shpejt, pasi të dy liderët përballen me presione të ngjashme politike në vend, në veçanti me ndikimin në rritje të partive të ekstremit të djathtë.
Alternativa për Gjermaninë (AfD), partia e ekstremit të djathtë, tani është forca më e madhe opozitare në parlamentin e vendit, dhe e paraqet Merzin si dikë që preferon të kalojë kohë jashtë vendit në vend që të zgjidhë problemet në shtëpi. Në Francë, Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë po del shumë përpara të gjitha partive të tjera me 36 për qind.
Por pengesa më e madhe për kompromis mund të jetë zgjedhja e ardhshme presidenciale në Francë, e cila është caktuar për prill 2027. Macron nuk mund të kandidojë sërish për shkak të kufizimeve kushtetuese të mandatit, dhe politika e brendshme e vendit po duket gjithnjë e më e paqëndrueshme.
“Thjesht ka shumë presion kohor,” tha Ross. “Ka vetëm edhe një vit në të cilin ata mund të punojnë në mënyrë të arsyeshme së bashku.”
Pas kësaj, ai shtoi, “gjermanët mund të harrojnë të mbështeten te një qeveri funksionale dhe aktive franceze, sepse ajo do të jetë në modë të plotë zgjedhore.”