Sylvinho nuk dëshironte, duke e ditur sa vështirë është të mbash lojtarë që ndoshta mund të mos aktivizohen kurrë; Daku, Muja e të tjerët, shpresojnë për një ftesë në Europianin e Gjermanisë. Pikërisht kështu, sepse me anë të një komunikate zyrtare UEFA ka bërë me dije vendimin, që i lejon ekipet Kombëtaret të grumbullojnë 26 lojtarë, nga 23 që ishte e lejuar.
Megjithatë, UEFA shton se ky vendim nuk është i detyrueshëm, pasi ekipet finaliste do të kenë mundësi të grumbullojnë nga 23, deri në 26 lojtarë për në finalet e “Euro 2024”, sipas dëshirës së tyre. Çështja është se tani braziliani është përpara një situate që nuk do të donte. Sylvinho ka thënë disa herë se preferonte të grumbullonte 23 lojtarë dhe se ishte kundër shtimit të numrit që UEFA po mendonte. Por tani mundësitë janë dhe braziliani mund të përballet me mërinë e lojtarëve që jo pak herë i ka besuar në fushatën kualifikuese që e solli deri këtu. Dy mbi të gjithë, Dakun e Mujën, që i mori nga Kosova dhe i bindi të veshin fanellën kuqezi.
Sipas rregullores që UEFA ka vendosur për Kampionatin Europian, lista me lojtarët e grumbulluar duhet të dorëzohet deri më datë 7 qershor 2024.
SHQIPËRIA NË EUROPIAN
Shqipëria do ta nisë rrugëtimin në Europian më datë 15 qershor ndaj Italisë. Sfida do të luhet në orën 21:00, në stadiumin “BVB Stadion Dortmund”. Katër ditë më pas, më datë 19 qershor 2024 kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e dytë të Europianit kundër Kroacisë duke nisur nga ora 15:00, në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”. Ndërsa ndeshjen e fundit në Grupin B, Shqipëria do ta luajë ndaj Spanjës më datë 24 qershor 2024 në stadiumin “Dusseldorf Arena” në orën 21:00.