Kryeministrja italiane Giorgia Meloni prezantoi këtë të enjte në Bruksel, marrëveshjen që qeveria e saj ka arritur me Tiranën për qendrat e emigrantëve të drejtuara nga italianët në territorin shqiptar. Takimi jozyrtar për migracionin mes 10 shteteve anëtare u mbajt përpara samitit të BE-së.
“Meloni, së bashku me kryeministren daneze, Mette Frederiksen dhe kryeministrin holandez, Dick Schoof, mbajtën një takim jozyrtar këtë mëngjes me disa nga shtetet anëtare që kanë më shumë interes për çështjen e migracionit dhe në veçanti zgjidhje inovative të çështjes”, thuhet në një njoftim të zyrës së shtypit të Kryeministres italiane sipas ANSA.
“Përveç Italisë, Danimarkës, Holandës dhe përfaqësuesve të Komisionit Evropian, në takim morën pjesë edhe liderët e Austrisë, Qipros, Republikës Çeke, Greqisë, Hungarisë, Maltës, Polonisë dhe Sllovakisë.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen përshkroi pikat kryesore të veprimit të treguara në letrën e së hënës mbi migracionin, duke përfshirë çështjen e zgjidhjeve inovative.
Kryeministrja Meloni prezantoi marrëveshjen Itali – Shqipëri, një ditë pas mbërritjes së emigrantëve të parë të parregullt në portin e Shëngjinit, duke nënvizuar rolin e saj në luftën kundër trafikantëve të qenieve njerëzore.
Diskutimi i liderëve u fokusua në konceptin “vend të tretë të sigurt” përpara zbatimit të rregullave sipas Paktit të ri për Migracionin dhe Azilin dhe në bashkëpunimin përgjatë rrugëve të migracionit me UNHCR-në dhe IOM-in në lidhje me kthimet vullnetare të asistuara, si dhe në ” qendrat e kthimit’.
Udhëheqësit e pranishëm ranë dakord të vazhdojnë të mbajnë një koordinim të ngushtë operacional, gjithashtu në funksion të takimeve të ardhshme të Këshillit Evropian, me synimin për të forcuar politikën e migracionit të Bashkimit Evropian dhe për ta bërë atë gjithnjë e më efektive” – thuhet në njoftim.