Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni foli në Samitin e Demografisë që po mbahet në Budapest të Hungarisë. Meloni nënvizoi se plani i saj është që të ketë një qeveri italiane të qëndrueshme për shumë vite dhe të jetë kohezive. Kryeministrja vlerësoi shembullin e Hungarisë, si një model që duhet ndjekur.
“Kemi arritur të ndalojmë trendin në rënie të lindshmërisë, janë rritur vendet e punës, është rritur punësimi i femrave”, tha Meloni.
“Ka vende më të pasura ku lindin më pak fëmijë, ne duhet të mobilizojmë burime për të mbështetur familjen, ashtu siç është Hungaria që po jep një shembull të përsosur. Këtë e tha dhe Papa gjatë vizitës së tij. Shembulli i Hungarisë tregon se gjërat mund të ndryshojnë nëse kemi guximin për të bërë zgjedhjet e investimet e nevojshme”.
Gjithashtu Meloni u ndal edhe tek hapat që duhen ndërmarrë për të mbrojtur qytetërimin që evropianët kanë ndërtuar. Ndër to është besimi tek Zoti, mbrojtja e familjes dhe identiteti i ruajtur.
“Na duhet një betejë e madhe për të mbrojtur familjet,do të thotë të mbrosh identitetin, të mbrosh besimin tek Zoti dhe të gjitha gjërat që ka ndërtuar qytetërimi ynë. Para disa vitesh u bëra e famshme sepse thashë që: Unë jam Giorgia, jam grua, nënë, italiane, e krishterë, këtë nuk do ta heqësh kurrë nga unë”, tha Meloni.
Ajo u ndal edhe te lëvizjet migratore që po ndodhin kohët e fundit. Italia është goditur nga një valë e madhe emigrantësh që po vijnë nga vendet afrikane. Për Melonin, emigrantët nuk e zgjidhin rënien demografike.
“Emigrantët nëse integrohen mund të japin një kontribut, por ne duhet të jemi më të përgjegjshëm për veten tonë, si qytetarë evropianë, duke gjetur zgjidhje për krizat e sistemit evropian: rënia e popullësisë nuk është fat, është një zgjedhje. Por nuk është zgjedhja që shohim ne”, përfundoi Meloni.