Kryeministri britanik Keir Starmer po ndjek të njëjtin kurs si homologja e tij italiane, Giorgia Meloni, duke planifikuar transferimin e emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri dhe në disa vende të tjera të Ballkanit. Kjo është ajo që shkruan media italiane Il Tempo, që paralajmëron dërgimin e emigrantëve të paligjshëm të Britanisë në vendin tonë. Por, ndryshe nga Meloni, e cila u përball me sfida të shumta ligjore për të zbatuar marrëveshjen me Shqipërinë, Starmer ka siguruar menjëherë mbështetjen e Kombeve të Bashkuara për ngritjen e katër qendrave riatdhesimi jashtë Britanisë.
Sipas mediave britanike, këto qendra do të ngrihen në Shqipëri, Serbi, Bosnjë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa qëllimi i qeverisë britanike është frenimi i fluksit të emigrantëve që kalojnë Kanalin e La Manshit për të hyrë ilegalisht në territorin britanik.
Vetëm në katër muajt e parë të vitit 2025, mbi 9 mijë emigrantë kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar përmes detit, një rritje me 81% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kampet e improvizuara që janë shfaqur në qendër të Londrës, përballë Parlamentit, kanë shtuar presionin publik ndaj qeverisë për të vepruar.
Në kontrast, qeveria italiane, me gjithë marrëveshjen me Tiranën për ngritjen e dy qendrave pritëse në Gjader dhe Shëngjin, është përballur me bllokime të njëpasnjëshme nga gjykatat, të cilat kanë vonuar zbatimin e planit. Vetëm së fundmi, Italia ka mundur të dërgojë një grup të vogël emigrantësh në Shqipëri.
Starmer, nga ana tjetër, ka angazhuar Sekretaren e Brendshme Yvette Cooper për të negociuar direkt me UNHCR-në (Agjencinë e OKB-së për Refugjatët), duke siguruar mbështetje për transferimin e aplikantëve të refuzuar për azil. Plani britanik parashikon gjithashtu kompensime financiare për vendet pritëse.
Ky projekt po shihet si një alternativë më “e pranueshme” politikisht krahasuar me planin e qeverisë së mëparshme konservatore për dërgimin e emigrantëve në Ruandë, një ide që Starmer e shpalli “të vdekur” pas fitores së zgjedhjeve në korrik.
Ndërkohë, edhe Holanda po ndjek të njëjtin drejtim, duke negociuar me Ugandën për një marrëveshje të ngjashme. Në Itali, ndërkohë, numri i emigrantëve të parregullt këtë vit ka arritur në mbi 12 mijë, duke tejkaluar edhe Britaninë.
Sipas të dhënave të Universitetit të Oksfordit, në Britani ndodhen aktualisht mes 800 mijë dhe 1.2 milion emigrantë të paligjshëm, duke e renditur të dytën në Europë pas Gjermanisë. Italia mban vendin e tretë, me rreth 458 mijë emigrantë të tillë.