Ka përfunduar seanca plenare e cila që në fillim është karakterizuar nga protesta e opozitës, e reflektuar me bilbila dhe pankarta.
Deputetja Albana Vokshi ka tentuar t’i japë kryeministrit Edi Rama pankartën ku lexonte “vrasës i demokracisë”, por nuk është lejuar nga garda.
Opozita e ka bërë të qartë që nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, protesta e tyre do të vijojë. Mbetet për të parë nëse do përdoren sërish flakadanë, ku me rregulloren e re dënimi është 60 ditë përjashtim nga Kuvendi.
Kuvendi sot në seancë plenare miratoi me rend dite shqyrtimin e disa projektligjeve si ai i ratifikimit të marrëveshjes së financimit me Francën për programin (lnterreg VI-B) Euro Mesdhe (EURO MED) 2021-2027.
Në kalendar është edhe ratifikimi i marrëveshjes me Bashkimin Evropian për aktivitetet operacionale të kryera nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare në Republikën e Shqipërisë.