Kreu i PD-së, Sali Berisha ka reaguar lidhur me vendimin e marrë këtë të enjte nga qeveria për mbylljen e aplikacionit të TikTok.
Në një deklaratë për mediat Berisha u shpreh se ky vendim është një dënim kapital ndaj platformës ndërsa fton të gjithë të rinjtë të bashkohen në protestën e thirrur më 15 Mars.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Ftoj gjimnazistët, ftoj të rinjtë, ftoj dhe prindërit të mos bëhen viktimë e mashtrimit banal, të paskrupullt, të pacipë të Edi Ramës.
Vdekja, vrasja tragjike e Martin Canit në dyert e shkollës nuk kishte asnjë lidhje me TikTokun.
Martini dhe bashkëmoshatari i tij që e vrau nuk kishin llogari në TikTok.
Edi Rama firmosi sot mbylljen e TikTokut në Shqipëri njëlloj si babai i tij biologjik Kristaq Rama firmosi vrarjen në litar të Havzi Nelës 37 vite më parë me 10 gusht të vitit 1988.
Protesta e fuqishme e të rinjve shqiptarë, në të katër anët të mblidhen këtu, ndërkohë përgjigje të tjera do projektohen ndaj këtij akti, dënimit kapital të një platforme të mrekullueshme të komunikimit.
Një tiran që qeveris vendin sikur është Afganistani apo Teherani, vetëm e vetëm për shkak të rrebeshit të kritikave që ka pasur nga të rinjtë me një akt të tillë.
Fjala e lirë do të fitojë.
Mendimi i lirë do fitojë.
Censura do përfundojë në koshin e plehrave të historisë së bashku me Edi Ramën, i cili vërtetohet tani pas Enver Hoxhës, kryecensori tjetër i shqiptarëve.