Kleana Xhuveli do të marrë mandatin për të cilin u grindën Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani. Vendimi u mor nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i cili zhvilloi këtë të mërkurë një seancë publike ku pritet të miratohet shpërndarja e mandateve të deputetëve për fituesit në zgjedhjet e përgjithshme në Qarkun e Tiranës.
Në sallën e mbledhjeve të KQZ-së ka mbërritur Kleana Xhuveli, e katërta në listën e mbyllur të koalicionit. Xhuveli është kushërira e parë e kandidatit Adriatik Lapaj, vajza e tezes së tij, megjithatë Adriatiku ka sqaruar se e konsideron një motër, pasi ajo është rritur në shtëpinë e tij.
Sipas marrëveshjes së arritur më herët mes dy partive që përbëjnë këtë koalicion, kandidatët e listës së mbyllur kishin firmosur paraprakisht dorëheqje nga mandati, për të hapur rrugën kandidatëve të listës së hapur. Në këtë rast, mandati do t’i takonte Adriatik Lapajt.
Megjithatë, situata u komplikua pasi Zeqir Kordhoni, i afërmi i drejtuesit tjetër të koalicionit Endri Shabani, ka paraqitur kërkesë për të marrë mandatin. Shabani dhe Kordhoni pretenduan se kjo vjen si pasojë e një premtimi të pambajtur të Lapajt, i cili sipas tyre kishte deklaruar më herët se do të heqë dorë nga mandati nëse koalicioni do të siguronte vetëm një vend në Kuvend.