Në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve, u miratua udhërrëfyesi për Funksionimin e Institucioneve Demokratike, një dokument politik thelbësor për procesin e integrimit europian. Ky udhërrëfyes, një nga parakushtet kryesore për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, u miratua pa prezencën e opozitës.
Nga ana tjetër, me anë të një njoftimi, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste thotë se do të mbetet plotësisht i angazhuar për të mbështetur dhe avancuar këtë objektiv strategjik të Shqipërisë, duke forcuar angazhimin ndaj proceseve demokratike dhe integrimit europian.
Deputetët e Partisë Demokratike kanë rikthyer në Kuvend aksionin opozitar. Në hapje të seancës plenare të ditës së hënë, deputetët demokratë u mblodhën rreth foltores, ndërsa pjesa ku ulen ministrat u rrethua nga punonjësit e Gardës.
Pas kësaj, opozita nxorri jashtë karriget e tyre dhe iu vunë flakën. Kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi tha se janë aty jo për karriget e tyre por për të mbrojtur interesin publik. Ai shtoi se nuk kanë djegur mandatet, pasi nuk shmangen nga beteja e tyre.