Qytetarët do të rikthehen sot para Kryeministrisë, në ditën e 102-të të protestës kundër qeverisë. Prej më shumë se tre muajsh, kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i kabinetit të tij.
Një ditë më parë, aksioni u zhvendos para Parlamentit, ku deputetët u rikthyen në seancë për nisjen e sesionit të ri. Ashtu siç kishin paralajmëruar, protestuesit i pritën ata me vezë dhe domate. Gjatë tubimit pati edhe tensione me Policinë, e cila kishte bllokuar rrugën përpara godinës së Kuvendit.
Nga sheshi, qytetarët akuzuan deputetët se nuk përfaqësojnë interesat e tyre dhe se nuk kanë reaguar ndaj problemeve të ngritura prej vitesh. Protestuesit këmbëngulin se mobilizimi do të vijojë si para Kryeministrisë, ashtu edhe para Parlamentit, deri në largimin e qeverisë dhe hapjen e rrugës për një tranzicion politik.