Mbështetja e të rinjve për të djathtën ekstreme në Evropë

Mbështetja e votuesve të rinj për të djathtën ekstreme duket se po rritet në disa vende evropiane. Partia Aleanca për Gjermaninë, AfD, shpreson të sigurojë një tjetër fitore në zgjedhjet e ardhshme shtetërore. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës nga Londra, Henry Ridgwell, kjo prirje ndihmoi në suksesin e së djathtës ekstreme në zgjedhjet evropiane të qershorit.

Fitorja e partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë ose AfD, në zgjedhjet e Turingisë në fillim të këtij muaji u ndikua pjesërisht nga rritja e pjesëmarrjes së të rinjve në votime.

Zëri i Amerikës bisedoi me Ben Ansell, profesor në Universitetin e Oksfordit i cili drejton podkastin “Çfarë Problemesh ka Demokracia”.

“Më shumë se një e treta e të rinjve, pothuajse 40% e 18-29-vjeçarëve, votojnë për AfD-në.”

Një në pesë votues mbi 70 vjeç voton për partinë AfD e cila shpreson të përsërisë fitoren e saj në zgjedhjet e Brandenburgut më 22 shtator, me ndihmën e votës së të rinjve.

Hans-Christoph Berndt është kryetar i partisë AfD në Brandenburg.

“Partitë e tjera mendonin se AfD ishte një parti vetëm për të moshuarit dhe se të rinjtë nuk e mbështesin AfD-në. Kjo është tërësisht e gabuar.”

Hulumtuesit thonë se çështja e emigracionit duket të jetë një nga faktorët e rritjes së popullaritetit të së djathtës ekstreme.

“Një pjesë e vendit është më e varfër se pjesët e tjera, me popullsi kryesisht homogjene dhe për këtë arsye reagon më shumë ndaj emigracionit sesa Berlini, apo pjesë të tjera të Gjermanisë. Disa njerëz kanë argumentuar se kjo tregon shqetësimet për luftën në Ukrainë. Të tjerë thonë se është një qëndrim që ka lidhje me trajtimin e situatës gjatë COVID-it ose me krizën e strehimit”, thotë profesori Ben Ansell.

Partia franceze e ekstremit të djathtë, Bashkimi Kombëtar, lëvizja politike më popullore mes moshave 18 dhe 32 vjeçare, mori 32% të votave në zgjedhjet evropiane të qershorit. Kjo parti gëzon më shumë mbështetje nga moshat e reja se sa grupmoshat mbi 65 vjeç.

Presidenti 28-vjeçar i Partisë Bashkimi Kombëtar, Jordan Bardella, ka 1.6 milionë ndjekës në rrjetin Tik Tok, që frekuentohet kryesisht nga moshat e reja, thotë profesori Ansell.

“Partitë populiste e shfrytëzojnë mirë rrjetin Tik Tok për të postuar video të shkurtëra politike që godasin objektivat e tyre, për të ndikuar pozitivisht tek mbështetësit”.

Një studim i gazetës spanjolle El País sugjeron se një e katërta e meshkujve spanjollë të moshës 18 deri në 26 vjeç, e ashtuquajtura gjenerata Z, beson se në disa rrethana autoritarizmi mund të jetë më i preferuar se demokracia. Të njëjtin mendim ndajnë rreth 10% e grupmoshës mbi 59 vjeç. Shifrat janë edhe më të ulëta mes votueseve femra.

“Ky hendek i madh gjinor tek grupmosha nën 30 vjeç është i përhapur në të gjitha vendet”, thotë profesori Ansell.

Mbetet për t’u parë nëse tendenca të tilla midis votuesve të rinj do të shfaqen edhe në zgjedhjet presidenciale amerikane të nëntorit, ndonëse anketat e fundit tregojnë se është shtuar mbështetja e të rinjve për demokraten Kamala Harris./ VOA

 

 

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top