“Mbështesim protestën”, Berisha: Ky është Këshilli Kombëtar më cilësor dhe më i fuqishëm i PD

Partia Demokratike ka mbledhur sot Këshillin Kombëtar të dalë pas Kuvendit Kombëtar të mbledhur në 30 Maj. Në fjalën hapëse të këtij këshilli, kryetari i PD-së, Sali Berisha ka deklaruar se, Këshilli Kombëtar i konstituuar sot, është më cilësori dhe më i fuqishmi i PD-së. ‘E them me ndjenjë optimizmi, kënaqësie dhe krenarie, e Këshillit Kombëtar më të fuqishëm, më cilësor që PD ka zgjedhur në tërë historinë e saj’, tha ai.

Në fjalën e tij, Berisha ka folur edhe për protestën qytetare dhe rinore që sot ka hyrë në ditën e 32 të saj. Ai theksoi se, kjo lëvizje e gjeneratës se re, nuk ndalet pa rrëzuar Edi Ramën dhe qeverinë e tij.

Pjesë nga fjala e kryetarit të PD-së, Sali Berisha:

Përshëndetje për të gjithë ju sot këtu në këtë sallë, anëtare dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD, e them me ndjenjë optimizmi, kënaqësie dhe krenarie, e Këshillit Kombëtar më të fuqishëm, më cilësor që PD ka zgjedhur në tërë historinë e saj.

E Këshillit Kombëtar që merr përsipër, i sigurt, misionin historik të kësaj partie.

Misionin e rikthimit të votës së lirë të shqiptarëve dhe rotacionit të pushtetit.

Të dashur miq, sot Këshilli ynë Kombëtar mblidhet në një nga kohërat më interesante, më të veçanta të tërë historisë së pluralizmit politik.

Një lëvizje e fuqishme si një zgjim i vërtetë i gjeneratës së re apo gjeneratës Z ka shpërthyer në Shqipëri si një lëvizje liberatore.

PD, e cila zhvilloi një betejë epike, të pashembullt në historinë e një vendi për të mbrujtur sovranitetin e brendshëm apo opozitën e vërtetë, ka mirëpritur dhe mbështetur fuqimisht këtë lëvizje.

Këtë lëvizje të një rëndësie të jashtëzakonshme.

Gjenerata Z, apo gjenerata e re t’i themi, ka në dy dekadat e fundit rekordet e betejave më të rëndësishme të fituara.

Ishte kjo gjeneratë që shpëtoi vendin nga mbeturinat e armëve kimike, të cilat i premtoi Edi Rama me vizitën e tij të parë në OKB.

Shqiptarët u mbetën mirënjohës pafundësisht atyre.

E vërteta është se ajo ishte beteja kryesisht e gjimnazistëve shqiptarë.

Ata gjimnazistë, dhe studentë më vonë, me një ndjeshmëri, me një pastërti, me ideale, kur panë se vendi vendosej para një rreziku papritmas ata u derdhën në rrugë dhe e detyruan despotin të anulonte vendimin e tij.

Nuk duhet të harrojmë se në vlerësimet, ne e vërteta është ajo që na frymëzon, e vërteta është ajo që na udhëheq, dhe atë betejë nuk e bënë forcat politike, jo, ne i mbështetëm, por betejën e bënë ata.

Ata me një vendosmëri absolute nuk u tërhoqën nga beteja gjersa fituan.

Janë të bekuar.

Nuk është kjo beteja e vetme e fituar prej tyre.

Mos harroni një moment tjetër, shumë të rëndësishëm, kur dora e zezë ekzekutoi 5 metra nga pragu i shtëpisë Klodian Rashën. Shteti vrasës paraqiti të gjitha mashtrimet dhe trillimet për të ndjerin Klodian Rasha, por ato gjenerata nuk i besoi dhe dolën në rrugë me një trimëri të jashtëzakonshme.

E lemeritën pushtetin. E detyruan Edi Ramën të shkarkonte ministrin e tij.

Tani ata janë në rrugë, forcë në botë që mund t’i pengojë ata pa realizuar përmbysjen e kësaj qeverie, nuk ka.

Lëvizja e tyre sado që përpiqet Edi Rama me të gjithë propagandën e tij prokolalike, sado që ka marrë kompanitë më të mëdha për t’ua rrëmbyer algoritmin, sado që ka krijuar me qindra e qindra faqe fake për t’i sulmuar ata, çfarëdo që bën, është i pashpresë.

Ajo gjeneratë nuk di kurrë të tërhiqet.

Ajo gjeneratë di vetëm të fitojë.

Ndaj dhe Edi Rama që paguan çdo gjysmë orë shuma marramendëse për ta mbajtur nën kontroll algoritmin, po humbet çdo gjë.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top