Kylian Mbappe po e rrit gjithnjë e më shumë kandidaturën për Topin e Artë, teksa ceremonia e këtij viti po afron dhe gara për çmimin prestigjioz pritet të jetë e fortë.
Sulmuesi francez nuk ka ngurruar të vendosë veten në krye të garës. Në një intervistë për mediumin francez “L’Equipe”, Mbappe deklaroi se beson se ka zhvilluar sezonin më të mirë individual në Evropë dhe se askush nuk ka bërë më mirë se ai.
“Nuk ka asnjë lojtar që pati një sezon më të mirë se unë. Për Topin e Artë, këtë vit kam një mundësi të madhe”.
Francezi më pas ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si është përcaktuar fituesi i Topit të Artë në të kaluarën, duke argumentuar se votat jo gjithmonë kanë shkuar te lojtari më i mirë në botë.
“Ka pasur raste me Topin e Artë kur votat i janë dhënë lojtarit më të mirë të skuadrës më të mirë, jo domosdoshmërisht lojtarit më të mirë në botë”.
Mbappe u pyet edhe nëse do ta imagjinonte përfundimin e karrierës pa fituar Ligën e Kampionëve dhe Topin e Artë.
“Po. Trofetë fitohen në fushë. Epo, Topi i Artë gjithashtu varet nga votat.”
“Por para se të shikojmë dhjetë vjet përpara, duhet të shikojmë se çfarë po ndodh tani”,.
Francezi pati një sezon individual të jashtëzakonshëm me Real Madridin, duke përfunduar golashënuesi më i mirë si në Ligën e Kampionëve, ashtu edhe në La Liga.
Megjithatë, rruga drejt Topit të Artë nuk do të jetë e lehtë për Mbappen. Në garë është edhe Lamine Yamal i Barcelonës, i cili fitoi Kupën e Botës dhe La Ligën, ndërsa Rodri u shpall lojtari më i mirë i Kupës së Botës me Spanjën.
Një tjetër kandidat i fortë është edhe Harry Kane, i cili shënoi 60 gola me Bayern Munichun dhe fitoi Bundesligën.