Aurelio De Laurentiis ka shkarkuar nga pankina e Napolit teknikun Ëalter Mazzarri. Pas një tjetër gabimi ndaj Genoa, pronari i të kaltërve ka zgjedhur të ndryshojë sërish. Tekniku toskan zhvilloi sot seancën e fundit stërvitore në Castel Volturno dhe më pas u largua nga qendra sportive me fytyrë të errët, pa bërë asnjë deklaratë dhe duke firmosur vetëm disa foto për tifozët. Trajneri i ri i Napolit është Francesco Calzona, të cilin presidenti i Napolit e ka takuar pasdite në një hotel buzë detit. Për trajnerin aktual të Sllovakisë, i cili do të mbajë rolin e dyfishtë me miratimin e federatës, kontratë deri në qershor. Debutimi i tij në pankinë do të jetë të mërkurën në ndeshjen e parë të 1/8 të Champions League në Maradona kundër Barcelonës.
SHPJEGIMI I DE LAURENTIIS
Ish-ndihmësi i teknikut Sarri dhe Spalletti nesër do të drejtojë seancën stërvitore të zhvendosur në orën 14:00 në vend të orës 11:00 (me sa duket për t’i dhënë kohë për t’u përgatitur). Calzona ka gati një kontratë tre mujore, ndërsa nënshkrimi duhet të arrijë në mbrëmje. Megjithatë, prezenca e Marek Hamsik, kampionit historik të Napolit, në stafin e ri nuk është konfirmuar ende. “Nuk munda të flisja me Marek sot, por dje ai më tha se ishte shumë i intriguar nga ideja për t’u rikthyer për të punuar për këtë klub për të cilin gjatë viteve i ka thënë jo klubeve të mëdha si Milan dhe Juventus”, deklaroi De Laurentiis.
“Mazzarri është një mik i familjes dhe është gjithnjë e dhimbshme të shkarkosh një mik. E falenderova edhe për disponibilitetin e tij për të ardhur në ndihmë në një momentin tonë të vështirë. Napolit e tifozëve të tij, në të vërtetë, duhet të arrish t’i japësh gjithnjë diçka më shumë”.
RIKTHEHET SINATTI
Në staf do të përfshihet gjithashtu Francesco Sinatti, i rikthyer si përgatitës atletik. Sinatti, i cili i tha lamtumirë kampanëve verën e kaluar me ardhjen e Rudi Garcia, ka marrë autorizimin zyrtar nga FIGC për të mbuluar rolin e dyfishtë, me klubin kampion italian dhe me kombëtaren e Spallettit.