Tensionet në Lindjen e Mesme po reflektohen drejtpërdrejt në tregjet globale, me rritje të çmimeve të naftës dhe gazit. Kjo situatë ka detyruar shumë shtete të ndërmarrin masa për të frenuar efektet ekonomike.
Edhe në Shqipëri, çmimi i karburanteve është rritur si pasojë e zhvillimeve në Gjirin Persik. Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ulje të akcizës me 20% për çdo ditë që çmimi i naftës kalon pragun e 220 lekëve për litër. Ndërkohë, ka hyrë në fuqi vendimi për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve, ndërsa pritet ngritja e bordit që do të vendosë çmimet tavan.
Në rajon dhe më gjerë, qeveritë kanë reaguar me masa të ngjashme. Sllovenia dhe Mali i Zi kanë ulur akcizat, Kroacia ka vendosur çmime tavan, ndërsa Serbia ka ndaluar eksportet e karburanteve dhe po shqyrton ulje taksash. Në Maqedoninë e Veriut është reduktuar akciza, ndërsa Rumania po shqyrton rritjen e prodhimit vendas përmes rafinerive.
Edhe vendet e BE-së kanë ndërhyrë për të zbutur krizën: Spanja ka ulur TVSH-në për karburantet, ndërsa Italia ka akorduar fonde për të lehtësuar barrën mbi konsumatorët dhe bizneset. Masat synojnë të amortizojnë goditjen nga kriza energjetike.