Në datën 7 qershor 2025, ora 20:45 në Tiranë Kombëtarja e futbollit do të përballet me Serbinë për kualifikueset e Botërorit 2026. Kjo përballje mbart dimensione historike, edhe politike, që kanë ngjallur emocione dhe tension mes tifozëve.
Autoritetet shqiptare kanë mobilizuar masa të jashtëzakonshme sigurie për të garantuar një mbrëmje sportive të qetë dhe pa incidente. Mësohet se Federata Shqiptare e Futbollit, në bashkëpunim me Shërbimet e Sigurisë së Shtetit, Policinë dhe agjenci të tjera, po implementojnë masa të avancuara sigurie në stadium.
Në media shkruhet se në stadiumin “Arena Kombëtare” po instalohen sisteme moderne sigurie që përfshijnë kamera me njohje fytyre “face recognition” dhe kamera të lëvizshme shtesë, që do të monitorojnë çdo lëvizje në tribuna dhe rreth stadiumit në kohë reale.
Gjithashtu Policia ka përgatitur një plan kontrolli, që përfshin verifikimin e imtësishëm të biletave dhe dokumenteve të identifikimit të çdo personi që hyn në stadium. Po ashtu mësohet se për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm, të gjitha rrugët që çojnë drejt stadiumit do të jenë të bllokuara plotësisht, ndërsa zona përreth do të mbrohet me pajisje antidron, për të shmangur mundësinë e ndonjë ndërhyrjeje të jashtme. Bëhet me dije se në stadium do ketë prezencë të lartë të forcave të policisë dhe njësive antiterror.