Masat ndaj Ballukut, GJKKO: Nuk pengohet të ushtrojë mandatin si deputete

Për numrin dy të qeverisë, Belinda Balluku gjykata ka marrë vendimin për caktimin e masës së sigurimit pezullim nga detyra lidhur me funksionin e saj si zëvendëskryeministres apo ministre. Në vendim sillet në vëmendje përcaktimi i nenit 242 i Kodit të Procedurës Penale “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, ku në pikën 1 parashikohet se: “Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to”.

Nga ana tjetër, konstatohet se kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral, që janë personat e zgjedhur deputetë, kryetar bashkie dhe anëtarët e këshillave bashkiakë.

Gjyqtari Çela ka vlerësuar se bazuar në rrethanat konkrete, ndaj Ballukut më e përshtatshme ka qenë caktimi i masave të sigurimit, pezullimi nga detyra dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit. Gjykata thekson se, caktimi i këtyre masave të sigurimit personal, nuk e pengojnë të pandehurën Belinda Balluku që të ushtrojë funksionet e saj si deputet i zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë.

Argumentimi i gjyqtarit Erion Çela për caktimin e masave të sigurisë për Ballukun:

-Gjykata vlerëson se në caktimin e masës së sigurimit personal duhet të mbahen në konsideratë këto kritere/rrethana: rëndësia e faktit, rrezikshmëria shoqërore e veprave penale për të cilat akuzohet/dyshohet duke u nisur nga masa që ato parashikojnë, përhapja e kësaj vepre penale, rolin e të pandehurës në kryerjen e veprës penale në bashkëpunim, pasojat e ardhura nga vepra penale, moshën, gjendjen gjyqësore si dhe gjendjen shoqërore e familjare të saj (me gjëndje civile e divorcuar, kryefamiljare, me dy fëmijë të datëlindjes 20.07.2005 dhe 20.12.2010).

-Gjykata, vlerëson se të gjitha këto rrethana, e bëjnë të domosdoshme dhe në përputhje me nevojën e sigurimit caktimin e njëkohshëm të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku. Në vlerësimin e gjykatës këto masa sigurimi personal janë masat më të përshtatshme në raport me rëndësinë e faktit dhe masën e dënimit që parashikohet nga neni 258/2 i K.Penal si dhe faktin që akuzohet/dyshohet për kryerjen e veprës penale dy herë dhe në bashkëpunim.

-Në rastin konkret, për të pandehurën Belinda Balluku, nuk ka ndalim ligjor që në zbatim të nenit 242 të K.Pr.Penale, për të cilën kërkohet masa ndaluese, ajo e pezullimit nga detyra е Zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë. Neni 242 i K.Pr.Penale, “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikon: “1. Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. 2.Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.

Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, në nenin 1 të tij me titull “Qëllimi dhe objektí, përcakton se: “Ky Kod ka për qëllim caktimin e rregullave për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikëqyrjen, si dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për në Kuvendin e Shqipërisë, për organet e qeverisjes vendore dhe referendumet”. Në nenin 2, pika 5, të këtij Kodi me titullin “Përkufīzime”, përcaktohen personat që do të zgjidhen: “…4. “Kandidat” është një shtetas shqiptar, i regjistruar si kandidat për deputet ose për kryetar bashkie, ose për këshillin e bashkisë, në përputhje me këtë Kod, për të cilin do të votohet në zgjedhje “. Pra, personat e zgjedhur në zbatim të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, parë kjo në zbatim të ndalimeve të nenit 242 të K.Pr.Penale, janë personat e zgjedhur deputetë, kryetar bashkie dhe anëtarët e këshillit të bashkisë.

-Në rastin konkret, vlerësohet më e përshtatshme për mbarëvajtjen e procedimit që të caktohen dy masa sigurimi për të pandehurën Belinda Balluku, masa e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe masa e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik (pezullimi nga detyra me funksione e larta shtetërore. Zv.Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të K.Pr.Penale. Gjykata çmon që të theksojë se, caktimi i këtyre masave të sigurimit personal, nuk e pengojnë të pandehurën Belinda Balluku që të ushtrojë funksionet e saj si deputet i zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top