Kredia për shtëpi ka vazhduar rritjen gjatë tremujorit të tretë të vitit, pavarësisht nisjes së aplikimit të masave kufizuese të Bankës së Shqipërisë. Statistikat e Bankës Qendrore tregojnë se në tremujorin e tretë, sektori bankar dha gjithsej rreht 13.8 miliardë lekë kredi të re për blerjen e banesave, me një rritje prej 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të dhënat progresive të 9-mujorit tregojnë se vlera e kredisë për blerje banesash ka arritur një rekord të ri historik për këtë vit. Gjatë nëntë muajve, sektori bankar disbursoi gjithsej 50 miliardë kredi, 27% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Portofoli aktiv total në fund të shtatorit arriti vlerën e 236 miliardë lekëve. Krahasuar me një vit më parë, ky portofol është zgjeruar me pothuajse 18%.
Kredia për individët, duke përfshirë edhe segmentin më të madh të saj, kredinë për shtëpi, po jep kontributin kryesor në rritjen e kredisë për ekonominë gjatë këtij viti.
Që prej 1 korrikut të këtij viti, bankat janë të detyruara të respektojnë disa kritere të administrimit të rrezikut, konkretisht për treguesit “Raporti i kredisë ndaj vlerës” (përqindja e çmimit të blerjes së banesës që banka merr përsipër të financojë nëpërmjet kredisë) dhe “Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave” (raportin mes këstit ose kësteve të kredisë për prona ndaj të ardhurave të huamarrësve).
Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.
Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në Lekë do të jetë në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj, niveli tavan do të jetë 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, zbatimi i këtyre kufijve do të mundësojë uljen e rrezikut të dështimit të huamarrësve dhe pakësimin e humbjeve bankare të lidhura me këto kredi, si pasojë e zhvillimeve eventuale të pafavorshme në çmimet e pronave të paluajtshme ose në kuadrin makroekonomik të vendit.
Në fakt, kritere të ngjashme janë aplikuar gjithmonë nga bankat në politikat e tyre të brendshme, por megjithatë në vitet e fundit është vërejtur një rritje e rasteve kur bankat kanë ofruar kredi në tejkalim të kufijve të mësipërm./Monitor.al