Marta Kos thotë se politika duhet të bashkëpunojë për integrimin e vendit në BE

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka komentuar protestat e zhvilluara në Shqipëri dhe kërkesat e qytetarëve për luftë kundër korrupsionit, transparencë dhe forcimin e shtetit të së drejtës, duke theksuar se ato nuk përbëjnë pengesë për procesin e integrimit evropian. Përkundrazi, sipas saj, këto kërkesa mund ta ndihmojnë Shqipërinë të ecë më shpejt drejt Bashkimit Evropian.

Gjatë fjalës së saj në Këshillin e Integrimit Evropian, ku ishte e pranishme, Kos theksoi se Komisioni Evropian nuk ndërhyn në debatet e brendshme politike të Shqipërisë, por përgjegjësia e tij është të sigurojë përmbushjen e standardeve të kërkuara për anëtarësim.

Ajo nënvizoi se disa nga shqetësimet e ngritura gjatë protestave lidhen drejtpërdrejt me negociatat e anëtarësimit dhe se ato merren seriozisht nga institucionet evropiane.

“Komisioni Evropian nuk merr anë në diskutimin e brendshëm politik në Shqipëri. Përgjegjësia jonë është që të sigurohemi që standardet që kërkohen për anëtarësimin në BE të përmbushen. Të bëhesh shtet anëtar në BE do të thotë të bëhesh pjesë e një komuniteti demokracish dhe kjo nuk mund të matet thjesht vetëm me përmbushjen e rregullave të BE-së, sepse disa nga shqetësimet që janë ngritur nga protestat e fundit kanë të bëjnë dhe janë të lidhura ngushtësisht me negociatat e anëtarësimit dhe ne do të bëjmë patjetër pjesën tonë për t’i trajtuar ato”, deklaroi Kos.

Më tej, komisionerja theksoi se qytetarët që kërkojnë luftë kundër korrupsionit, më shumë transparencë dhe mbrojtje të mjedisit nuk po pengojnë integrimin, por po krijojnë mundësi për përparim më të shpejtë të vendit. Ajo shtoi se këto shqetësime janë ngritur edhe nga shtetet anëtare të BE-së dhe në Parlamentin Evropian.

“Qytetarët që kërkojnë veprim kundër korrupsionit, transparencë më të madhe ose mbrojtje më të mirë mjedisore, mund ta ndihmojnë Shqipërinë duke e shtyrë atë përpara në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Ata nuk po pengojnë anëtarësimin në BE, përkundrazi, ofrojnë mundësinë për të ecur përpara më shpejt. Kërkesat e tyre janë pasqyruar nga shumë shtete anëtare dhe në Parlamentin Evropian. Këto shqetësime merren seriozisht dhe ne angazhohemi me ata që i kanë ngritur. Kjo do të fuqizojë besueshmërinë dhe kredibilitetin e Shqipërisë brenda Bashkimit Evropian”, u shpreh komisionerja.

Duke folur për perspektivën e Shqipërisë në BE, Marta Kos tha se vendi ndodhet përpara një mundësie historike dhe se viti 2027 mund të jetë një moment vendimtar për avancimin e procesit. Ajo renditi tre prioritete kryesore: vazhdimin e reformave dhe zbatimin e legjislacionit në praktikë, forcimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin ligjvënës dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike përmes dialogut demokratik.

Sipas saj, reformat duhet të japin rezultate konkrete veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe përmbushjen e standardeve mjedisore.

Kos u bëri thirrje të gjitha forcave politike dhe shoqërisë shqiptare që të bashkëpunojnë, duke theksuar se integrimi evropian nuk mund të jetë projekt vetëm i qeverisë apo i një partie politike.

“Anëtarësimi në BE është projekt kombëtar, jo vetëm projekti i një partie të vetme apo vetëm i qeverisë. Të gjitha rrymat e politikës dhe shoqërisë shqiptare duhet të bëhen bashkë, sepse në këtë formë do të fuqizohet pozicioni i Shqipërisë me shtetet anëtare”, deklaroi ajo.

Në përfundim, komisionerja Evropiane për Zgjerimin konfirmoi mbështetjen e Komisionit Evropian dhe të saj personale për objektivin e Shqipërisë për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, për të nënshkruar Traktatin e Anëtarësimit në vitin 2028 dhe për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030.

“Unë jam mike e shqiptarëve dhe prandaj, si komisionere për Zgjerimin, për herë të parë një komisionere që vij nga Ballkani Perëndimor, do të punoj pa u lodhur për ta ndihmuar Shqipërinë që të japë të gjitha rezultatet që duhen. Kjo do të thotë mbyllja e negociatave deri në fund të vitit 2027, nënshkrimi i Traktatit të Anëtarësimit në 2028 dhe që Shqipëria të bëhet shtet anëtar i familjes evropiane deri në vitin 2030. Mund të mbështeteni te Komisioni Evropian dhe te mbështetja ime personale”, përfundoi Marta Kos.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top