Ndërsa përpiqet t’i mbajë të hapura opsionet e tij për Iranin, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mund t’i shohë ato duke u ngushtuar dita-ditës. Raundi i tretë i bisedimeve në Gjenevë përfundoi me një dakordësi për një takim tjetër në “nivel teknik” në Vjenë javën e ardhshme, duke e lënë Shtëpinë e Bardhë përballë një zgjedhjeje thelbësore: të vazhdojë me diplomacinë e ripërtërirë apo të përqafojë hapin tejet të paparashikueshëm dhe potencialisht brutal të një përplasjeje ushtarake.
Në planin ushtarak, sinjalet e SHBA-së janë të qarta. Dislokimi aktual konsiderohet si një nga grumbullimet më të mëdha të fuqisë ajrore dhe detare amerikane në rajon që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003. Avionë furnizimi me karburant dhe avionë sulmi tokësor A-10 janë parë të parkuar hapur në aeroporte civile në Izrael dhe Kretë, në pamje të turistëve dhe mediave ndërkombëtare. Ky demonstrim force nuk është i fshehtë, por synon t’i dërgojë një mesazh të drejtpërdrejtë Teheranit se durimi i Trump për një zgjidhje të negociuar është i kufizuar dhe se diplomacia mbështetet nga një forcë e konsiderueshme ushtarake.
Megjithatë, kjo shfaqje force nuk i jep presidentit amerikan një mandat të pakufizuar për veprim. SHBA-ja ka zgjedhur diplomacinë si hap të parë dhe kjo ka peshë të madhe politike. Bombardimet e mëparshme të objekteve bërthamore iraniane nuk kanë prodhuar rezultat të qëndrueshëm, pavarësisht pretendimeve të mëparshme të Trump se programi bërthamor ishte “zhdukur”. Presidenti amerikan duket se beson se Irani synon të pajiset me armë bërthamore, pavarësisht deklaratave të Udhëheqësit Suprem, Ali Khamenei, dhe një vlerësimi të mëparshëm të komunitetit të inteligjencës amerikane që vinte në pikëpyetje këtë synim.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se nuk mendon që iranianët po pasurojnë aktualisht uranium, por paralajmëroi se ata “gjithmonë përpiqen të rindërtojnë elementë të programit të tyre”. Nëse Shtëpia e Bardhë do të kishte bindjen se një fushatë e shpejtë bombardimesh do ta zgjidhte çështjen, ka të ngjarë që do ta kishte ndërmarrë tashmë – ose do t’i kishte kërkuar Izraelit ta bënte – pa e paralajmëruar publikisht dislokimin e forcave. Në vend të kësaj, administrata duket se beson se një marrëveshje diplomatike mund të arrijë më mirë objektivat amerikane: një Iran në mënyrë të verifikueshme pa armë bërthamore dhe me rikthim të inspektimeve ndërkombëtare civile, siç kanë ekzistuar më parë.
Irani ka treguar shpesh aftësi për të zvarritur dhe ndërlikuar negociatat. Megjithatë, “armata” e Trump mund të ndryshojë llogaritë e Teheranit dhe të përshpejtojë një marrëveshje. Nga ana tjetër, pozicioni amerikan mbetet i paqartë. Nuk është e qartë nëse Uashingtoni kërkon vetëm ndalimin e armëve bërthamore apo ndalimin total të pasurimit të uraniumit. Fjalimi i Trump për Gjendjen e Kombit nuk kërkoi shprehimisht ndërprerjen e pasurimit, ndërsa zyrtarë të administratës kanë lënë të kuptohet se mund të pranohet një pasurim “simbolik” për qëllime civile, si ato mjekësore.
Po ashtu, mbeten të paqarta kërkesat lidhur me programin raketor iranian dhe ndikimin rajonal të Teheranit, përfshirë mbështetjen ndaj aleatëve të tij në Lindjen e Mesme, të cilët janë dobësuar nga operacionet e fundit ushtarake izraelite dhe amerikane, si dhe nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Asadit në Siri në fund të vitit 2024.
Megjithëse dislokimi aktual është i konsiderueshëm, ai nuk përfshin komponent tokësor. Çdo ndryshim regjimi në Teheran do të kërkonte një kryengritje të brendshme të shpejtë dhe të koordinuar, të nxitur nga sulme ajrore të synuara, një skenar që shumë analistë e konsiderojnë jorealist. Zyrtarë të Pentagonit kanë paralajmëruar për mungesë municionesh dhe burimesh për një fushatë të zgjatur në shkallë të gjerë. Transportuesit e avionëve kërkojnë mirëmbajtje, ndërsa mbajtja për muaj të tërë e një pjese të madhe të flotës ajrore në gatishmëri dëmton gatishmërinë strategjike të SHBA-së për kriza të tjera.
Një ofensivë e gjatë do ta ekspozonte Uashingtonin ndaj rrezikut të një përfshirjeje të tipit Irak, në një konflikt të zgjedhur, pa mbështetje të qartë publike dhe me paralajmërime për burime të pamjaftueshme. Politikisht, kjo do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme për çdo president. Opsioni më realist ushtarak për Trumpin duket të jetë një sulm i shkurtër dhe i synuar, një demonstrim force parandaluese. Por edhe ky opsion mbart rrezik, pasi përdorimi i kufizuar i forcës mund të zbulojë kufijtë e gatishmërisë amerikane për konflikt të zgjatur dhe të dobësojë efektin parandalues.
Regjimi iranian mund të përballojë disa netë sulmesh të synuara dhe të përgjigjet me goditje simbolike apo sulme me dronë dhe raketa, siç ka ndodhur në të kaluarën. Rreziku më i madh nuk është një përballje konvencionale e drejtpërdrejtë, por një raketë apo dron që depërton mbrojtjen ajrore dhe shkakton viktima amerikane të mjaftueshme për të detyruar një cikël përshkallëzimi. Në një skenar të tillë, SHBA-të mund të përfshihen në një luftë që e dinë se e kanë zgjedhur, ndërsa Irani do ta perceptonte si një betejë ekzistenciale.
Pentagoni nuk mund të mbajë pafundësisht një përqendrim kaq të madh asetesh në rajon. Edhe nëse avionët F-35 të dislokuar janë më pak të kushtueshëm sesa një luftë e hapur, ata ndikojnë në gatishmërinë globale të forcave amerikane. Në fund të fundit, pa një marrëveshje të shpejtë diplomatike, opsionet ushtarake të Trumpit do të ngushtohen javë pas jave. Një sulm i shkurtër ka gjasa të mos e eliminojë në mënyrë të përhershme programin bërthamor iranian, ndërsa një ofensivë e gjerë mbart rreziqe të mëdha strategjike dhe politike.
Përballë zgjedhjes mes diplomacisë së vështirë dhe luftës së pasigurt, Shtëpia e Bardhhë ndodhet në një moment vendimtar, ku çdo hap i gabuar mund të ketë pasoja të thella për rajonin dhe për vetë presidencën amerikane.