Mandati i dytë i Trump, një mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve SHBA-Turqi?

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ishte ndër udhëheqësit e parë të huaj që uroi Presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për fitoren e tij në zgjedhjet e nëntorit.

Presidenti Joe Biden nuk e ka pritur zotin Erdogan në Shtëpinë e Bardhë, megjithëse ata janë takuar në takime ndërkombëtare të nivelit të lartë dhe kanë zhvilluar biseda telefonike.

Duke folur me gazetarët që e shoqëronin së fundmi gjatë vizitave në Arabinë Saudite dhe Azerbajxhan, Presidenti Erdogan shprehu shpresën për përmirësimin e lidhjeve me SHBA-në, por shtoi se për t’ia arritur këtij qëllimi duhen takime personale dhe se Ankarasë do t’i duhet të presë të shohë se çfarë kabineti do të krijojë zoti Trump.

Të dy udhëheqësit kishin një marrëdhënie të ngushtë personale gjatë mandatit të parë të zotit Trump në detyrë. Megjithatë, marrëdhëniet dypalëshe u shoqëruan herë-herë edhe me periudha të vështira gjatë asaj administrate.

Me kthimin e zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar, analistët i thonë Zërit të Amerikës se megjithëse mund të ketë mundësi për më shumë bashkëpunim në disa fusha, ata nuk presin ndryshime të mëdha.

James Jeffrey, i cili shërbeu si ambasador i SHBA-së në Turqi në periudhën 2008-2010, e sheh Ukrainën si një nga çështjet ku bashkëpunimi është i mundur. Duke iu referuar premtimit të zotit Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, zoti Jeffrey thotë se Turqia mund të luajë rol në negocimin e një armëpushimi, duke rritur gjasat “për një marrëdhënie produktive”.

Edhe Alan Makovsky, një bashkëpunëtor i lartë për sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare në Qendrën për Progres Amerikan, beson se përparësia e zotit Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë krijon një shans të mirë për zotin Erdogan.

Si aleate e NATO-s, Turqia ka ndjekur një balancë delikate lidhur me luftën në Ukrainë duke furnizuar Ukrainën me dronë, por duke ruajtur njëkohësisht lidhjet me Rusinë në energji dhe turizëm.

Presidenti Erdogan, i cili ka mbajtur marrëdhënie të mira me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe presidentin rus Vladimir Putin, ka thënë prej kohësh se asnjëra palë nuk përfiton nga lufta dhe ka ofruar të ndërmjetësojë negociata mes tyre.

Mosmarrëveshje për Sirinë

Një nga mosmarrëveshjet mes dy vendeve gjatë mandatit të parë të zotit Trump kishte të bënte me pakënaqësinë e Turqisë ndaj mbështetjes së SHBA-së për Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga milicia kurde – Njësitë e Mbrojtjes së Popullit, të njohura si YPG në Sirinë veriore.

Pas një telefonate me zotin Erdogan më 6 tetor 2019, Presidenti i atëhershëm Trump njoftoi papritur se SHBA do të tërhiqet nga Siria. Shumë zyrtarë ushtarakë amerikanë, të cilët u gjendën në befasi nga njoftimi, nuk e mbështetën idenë.

Tensionet mes aleatëve u përkeqësuan pasi më 9 tetor, zoti Trump i dërgoi një letër zotit Erdogan, ku e paralajmëronte kundër një inkursioni ushtarak në Siri. Pas njoftimit të zotit Trump për tërheqjen amerikane, Turqia ndërmori një operacion ushtarak në veri të Sirisë duke vënë më shënjestër YPG-në më 9 tetor.

Një marrëveshje armëpushimi u arrit gjatë vizitës së Nënpresidentit të atëhershëm Mike Pence në Ankara më 17 tetor.

Disa në Ankara parashikojnë se Shtetet e Bashkuara do ta rishqyrtojnë praninë amerikane në Sirinë veriore gjatë mandatit të dytë të zotit Trump. Zoti Jeffrey, i dërguar i SHBA-së për Sirinë në periudhën 2018-2020, sugjeron se administrata e zotit Trump mund ta rivlerësojë këtë çështje.

“Kur këshilltarët arrinin ta bindnin (Trump-in për Sirinë), argumentat e tyre ishin se trupat (amerikane) atje shërbenin për një sërë objektivash të rëndësishme. Është një nga dislokimet ushtarake më pak të kushtueshme dhe me përfitime të mëdha. Po mbajmë nën kontroll Shtetin Islamik. Së dyti, jemi të pranishëm në një terren jetik, duke frenuar ambiciet iraniane, të Asadit dhe të Rusisë”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Uashingtoni ka thënë prej kohësh se partneriteti i tij me SDF-në është i nevojshëm për ta bërë të qëndrueshme humbjen e ISIS-it si edhe përballë kërcënimit të Iranit.

Ankaraja e konsideron YPG-në një degë siriane të PKK-së, të cilën zyrtarët amerikanë e konsiderojnë gjithashtu një organizatë terroriste.

Presidenti i zgjedhur Trump emëroi Marco Rubion, një senator republikan nga Florida, për postin e sekretarit të shtetit. Ai ishte një nga kundërshtarët më të fortë të një tërheqjeje të SHBA-së nga Siria në atë kohë.

Ai e cilësoi atë vendim si “një gabim katastrofik që do të ketë pasoja të tmerrshme përtej Sirisë”, duke i kërkuar zotit Trump që ta rishqyrtonte atë.

“Na duhet të presim të shohim nëse pikëpamjet e Marco Rubios mund të kenë ndryshuar për t’iu përshtatur më shumë atyre të Trump-it apo anasjelltas. Por cilido që mendon se zgjedhja e zotit Trump nënkupton se SHBA së shpejti do të tërhiqet nga Siria, duhet ta rivlerësojë këtë këndvështrim në dritën e emërimit të Rubios. Mendoj se kjo do të thotë që nuk do të tërhiqemi nga Siria”, thotë zoti Makovksy për Zërin e Amerikës.

Programi i avionëve F-35

Një faktor që i ndërlikoi marrëdhëniet SHBA-Turqi gjatë mandatit të parë të zotit Trump ishte blerja nga Turqia e sistemit të mbrojtjes nga raketat S-400 nga Rusia, gjë që e nxiti Uashingtonin ta përjashtonte Ankaranë nga një program i përbashkët për avionët luftarakë F-35.

“Programi i avionëve F-35 nuk mund të bashkëjetojë me një platformë ruse të mbledhjes së informacioneve të zbulimit që do të përdoret për të mësuar rreth aftësive të tij të avancuara”, tha një deklaratë Shtëpia e Bardhë në korrik 2019, duke shpjeguar vendimin e SHBA-së për ta përjashtuar Turqinë nga projekti.

Administrata e Presidentit të atëhershëm Trump sanksionoi Turqinë në dhjetor 2020. Turqia, e cila që atëherë ka kërkuar heqjen e sanksioneve i është rikthyer bisedimeve me zyrtarët amerikanë për një rikthim të mundshëm në programin e avionëve F-35. Analistët thonë se megjithëse sanksionet mund të hiqen gjatë mandatit të dytë të zotit Trump, çdo zgjidhje për çështjen e programit S-400 që nuk do të ishte e përhershme, nuk do të ishte teknikisht e pranueshme për ushtrinë amerikane.

“Një zgjidhje e përhershme do të ishte tërheqja nga sistemet [S-400], që ato t’i shiten dikujt tjetër”, thotë ish-ambasadori Jeffrey.

Zoti Makovsky e konsideron të pamundur kthimin e Turqisë tek programi F-35 në të ardhmen e afërt.

“Nëse ata heqin dorë plotësisht nga sistemi S-400, siç e kërkon ligji, mund të ketë një shans për kthimin tek F-35,” i tha ai Zërit të Amerikës.

Por ai shton se kjo do të varet nga qëndrimet e krerëve të lartë të Komisioneve të Çështjeve me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit./VOA

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top