Roberto Mancini mund të rikthehet menjëherë në lojë dhe të marrë sërish drejtimin e një klubi pas përvojave me Italinë dhe Arabinë Saudite. Trajneri është i lirë prej një viti, që kur la detyrën me kombëtaren saudite, por karriera e tij nuk ka përfunduar dhe mund të rifillojë nga stoli i një skuadre të madhe në vështirësi, në kërkim të një trajneri me shumë përvojë që të jetë në gjendje të hapë një cikël të ri fitues.
Sipas disa burimeve të The Sun, Mancini do të ketë folur me disa miq, duke u zbuluar atyre se çfarë mund të ndodhë në muajt e ardhshëm. Trajneri beson se është mes favoritëve për të zëvendësuar Ruben Amorim te Manchester United, një ndjesi që ka lindur nga lidhja e ngushtë që ai ka me Sir Jim Ratcliffe, sipërmarrës dhe aksionar i klubit anglez, me fuqi vendimmarrëse në të gjithë sektorin sportiv.
Mancini mund të rinisë nga Manchesteri
Prej një viti ish-trajneri i Kombëtares është pa ekip: aventura e fundit ka qenë ajo me kombëtaren e Arabisë Saudite, me ndarjen që ndodhi në tetor të vitit 2024, dhe që nga ai moment nuk ka pasur mundësi të tjera për të. Angazhimi i tij i ardhshëm mund ta rikthejë në një klub, me pakënaqësinë e disa tifozëve të vjetër që mund të ndihen të lënduar nga kjo zgjedhje. Mancini beson se është favoriti për Manchester United në rast shkarkimi të Amorim, një supozim që ka lindur nga bisedat e fundit me Sir Jim Ratcliffe. Të dy kanë një shtëpi pushimi në jug të Francës dhe janë takuar shpesh kohët e fundit në disa ngjarje ku, me shumë gjasa, bisedat për futbollin nuk kanë munguar.
Magnati i “Ineos” e ka konfirmuar portugezin në stolin e skuadrës, por rezultatet janë pak inkurajuese dhe plani B mund të përfaqësohet nga Mancini. Do të ishte një “goditje” për tifozët e Manchester City që ende e adhurojnë: ai fitoi Premier Leaguen e parë në historinë e klubit në vitin 2012 në mënyrën më spektakolare të mundshme, dhe atje nuk e kanë harruar kurrë. Me siguri nuk do t’ia falnin kalimin te rivalët e qytetit, një mundësi që mund të ndodhë para përfundimit të këtij sezoni.