Roberto Mancini është tashmë nën akuzë. Teknikut të kombëtares të Arabisë Saudite nuk i ka mjaftuar fitorja me përmbysje e arritur në minutën e 99’ në debutimin e tij në Kupën e Azisë kundër Omanit. Ish-trajneri i Italisë u kritikua ashpër nga Yasser Al-Qahtani, flamuri dhe ikona e futbollit saudit. Ai ka më shumë se 100 paraqitje dhe mbi 40 gola me kombëtaren saudite. Al-Qahtani e cilësoi teknikut si “frikacak, burracak dhe mosrespektues”.
Stuhia u ndez pas vendimit të teknikut Mancini për të përjashtuar tre lojtarë: Al-Faraj, Al-Aqidi dhe Al-Ghannam. Tre futbollistët ishin fajtorë se kishin kërkuar të ishin titullarë. Trajneri, në prag të debutimit në Kupën e Azisë, kishte bërë të ditur: “Unë jam trajneri dhe ai që merr vendimet. I pyetëm dy-tri herë nëse dëshironin të luanin për kombëtaren dhe përgjigja ishte jo. Janë ata që vendosën të mos luajnë më, jo unë. Është hera e parë që kam një përvojë të tillë… Por ne gjetëm lojtarë të tjerë për të luajtur”.
AL-QAHTANI: “MANCINI ËSHTË NJË GËNJESHTAR E PARESPEKTUESHËM”
Fjalët e italianit e tërbuan Yasser Al-Qahtani, i cili në një intervistë për Bein Sports, kritikoi ashpër trajnerin: “Nuk kam takuar kurrë një person më frikacak se ai. Ai nuk e meriton të drejtojë këtë ekip. Ai është një burracak, i parespektueshëm. Ai i braktisi lojtarët që i shërbejnë futbollit saudit. Pse flet për ata tre para ndeshjes kundër Omanit kur takimi me ta ishte një muaj e gjysmë më parë? Ai është një gënjeshtar. Ai thotë se i ka pyetur lojtarët nëse ishin të lumtur të uleshin në stol, është normale që përgjigjja të ishte ‘jo’”.