Ndër risitë e tij, Kupa e Botës për Klube ka sjellë një dritare të re merkatoje, dhjetë ditë të dedikuara vetëm për skuadrat pjesëmarrëse që mund të përforcohen përpara se të marrin pjesë në kompeticion. Ekuilibrat e lojës ndryshojnë, por gjithmonë janë klubet e mëdha që vendosin rregullat dhe realizojnë goditjet më të bujshme. Edhe në këtë rast, Manchester City dallon mbi të gjithë për vëllimin e shpenzimeve: brenda vetëm dhjetë ditëve ka shpenzuar mbi 150 milionë euro për të sjellë në skuadër Tijjani Reijnders, Rayan Ait-Nouri, Rayan Cherki dhe Marcus Bettinelli.
Dritarja speciale e merkatos ishte e hapur nga data 1 deri më 10 qershor dhe këto pak ditë i kanë mjaftuar Pep Guardiolës për të pasur në dispozicion katër përforcime të reja, jo vetëm për Kupën e Botës për Klube, por edhe për sezonin e ri ku objektivi kryesor është të fshihet hapi fals i kampionatit të fundit. E gjitha kjo pas më shumë se 200 milionë eurove të shpenzuara në merkaton e janarit për Omar Marmoush, Nico Gonzalez, Abdukodir Khusanov dhe Vitor Reis: investimi shkon në kuotën e 350 milionëve brenda pesë muajsh, shifra monstruoze që pak mund t’i barazojnë.
Askush nuk ka shpenzuar në qershor sa Manchester City
Sesioni shtesë i merkatos ishte i dedikuar vetëm për skuadrat që do të marrin pjesë në Kupën e Botës për Klube, pra një numër mjaft i kufizuar ekipesh të mëdha që mundën të përshpejtojnë transferimet përpara verës. Mes tyre, askush nuk ka arritur të mbajë hapin me Manchester City-n, që për dhjetë ditë ka shpenzuar 150 milionë euro për katër lojtarë: në të vërtetë tre, pasi Bettinelli nga Chelsea ka kushtuar një shifër vërtet të papërfillshme krahasuar me shokët e tij të rinj të skuadrës. Goditja më e kushtueshme ishte Reijnders nga Milan, i marrë për 55 milionë euro plus 15 të tjera në formë bonusesh të ndryshueshme – një shumë e rëndësishme për t’i dhuruar Guardiolës një mesfushor të ri.
— Manchester City (@ManCity) June 11, 2025
Ait-Nouri dhe Cherki plotësojnë kuadrin e përforcimeve të reja me një investim mbi 35 milionë euro secili. Janë shifra shumë të rëndësishme për klubin anglez që edhe një herë tjetër bëhet dominues absolut i merkatos, pavarësisht se ndodhet ende në një situatë të pasigurt: në lojë është ende procesi për 130 shkeljet e dyshuara të Fair Play Financiar, për të cilat ende nuk ka një vendim dhe që mund të përmbysin gjithçka.