Pep Guardiola ka marrë vendimin për të rinovuar me Manchester City për një vit tjetër, deri në vitin 2026, me mundësinë për një tjetër sezon. Njoftimi zyrtar pritet të publikohet në ditët në vijim, por lajmi i publikuar nga ‘The Athletic’ është konfirmuar nga disa media të tjera në Britaninë e Madhe. Guardiola, i cili erdhi në Premier League në vitin 2016, do të kalojë më shumë se 10 vjet në drejtimin e Citizens. Duke pasur parasysh momentin delikat që po kalon ekipi (me katër humbje radhazi nga Tottenham, Bournemouth, Sporting Lisbona dhe Brighton), drejtuesit kanë përshpejtuar bisedimet për të dhënë një mesazh të fortë për gjithë mjedisin.
SITUATA DELIKATE
Në momentin më të vështirë që nga mbërritja e tij te City në verën e vitit 2016, Guardiola ka vendosur të vazhdojë martesën e tij me klubin anglez, pavarësisht kërcënimit të vendimit që do të dalë në vitin 2025 për shkeljet e mundshme (115) të Fair Play-it Financiar, që mund të çojnë deri në rënien në kategori më të ulëta. Largimi i paralajmëruar disa javë më parë i besnikut Txiki Begiristain kishte bërë që të mendohej për një zgjidhje tjetër, që katalanasi mund ta ndiqte, por përfundimisht nuk ndodhi kështu. Kjo është një lajm i gëzueshëm për tifozët e Citizens, të cilët e duan shumë trajnerin që e ka bërë ekipin e tyre një nga më të fortët në botë.
ARRITJET
Nën drejtimin e spanjollit Guardiola, City ka fituar 18 trofe, përfshirë 6 Premier League (4 tituj radhazi, si askush tjetër) dhe, mbi të gjitha, Champions League në vitin 2023, vit kur ai realizoi Tripletën (me kampionatin dhe FA Cup). Aktualisht, Citizens janë në vendin e dytë në Premier League, duke u ndodhur 5 pikë prapa Liverpool, lideri i klasifikimit. City vjen nga katër humbje radhazi, një seri negative që për herë të parë në karrierën e tij Guardiola duhet ta përballojë. City do të rikthehet në fushë të shtunën në Etihad kundër Tottenham.