Java e 32-të e Serie A hapet me një fitore bindëse të Romës, që dominoi në “Olimpico” ndaj Pizës, gjithnjë e më pranë rënies nga kategoria. Verdhekuqtë fituan 3-0 dhe protagonisti absolut ishte Donyell Malen, autor i të tre golave për skuadrën e drejtuar nga Gian Piero Gasperini.
Sulmuesi holandez zhbllokoi ndeshjen që në minutën e 3’, duke paraprirë Caracciolo pas një pasimi të Evan N’Dicka. Reagimi i Pizës u ndal nga portieri Mile Svilar, që shmangu barazimin ndaj Moreos. Më pas Lorenzo Pellegrini goditi shtyllën, ndërsa në minutën e 43’ ishte sërish Malen që dyfishoi shifrat, këtë herë me asistin e Devyne Rensch.
Në pjesën e dytë, pavarësisht një starti më të qetë dhe dëmtimit të kapitenit, Roma nuk hoqi dorë nga kontrolli i lojës. Ishte përsëri Malen që në minutën e 52’ kompletoi tripletën dhe vulosi rezultatin 3-0. Nga ai moment, verdhekuqtë menaxhuan ndeshjen pa probleme, ndërsa Pisa rrezikoi vetëm në mënyrë sporadike me Durosinmi. Një mbrëmje perfekte për Romën, që ngjitet në kuotën e 57 pikëve dhe ushtron presion në garën për Champions ndaj Como 1907 dhe Juventus.
Për Donyell Malen ishte një natë historike: tripleta e parë në karrierë dhe e para në këtë sezon të Serie A. Një formë e jashtëzakonshme për holandezin, që ka shënuar 10 gola në vetëm 12 ndeshje kampionati, duke u kthyer në një nga armët kryesore të Romës në sprintin final për një vend në Champions League.