“Magjia” e “shitjes së nderit” në romanin e Namik Dokles

“Magjia” e “shitjes së nderit” në romanin e Namik Dokles

 

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

 

 

 

Një roman ku përcillen artistikisht mesazhi i domosdoshmërisë së rishkruarjes me realizëm të historisë dhe i luftës pa kompromis ndaj krimit e korrupsionit

 

 

Trilli artistik i Namik Dokles në romanin e tij të fundit “Dhjetë gramë nder” – botim i Shtëpisë Botuese prestigjioze “TOENA”, i kalon kufijtë e imagjinatës. Një trill artistik befasues që në titull, për të vijuar në episodin e parë të romanit, ku në të famshmin “takim me historinë”, një ministër e manipulon atë, në ditën e inaugurimit të Muzeut të Luftës, duke përvetësuar rolin e komandantit të batalionit, e për të vijuar kësisoj thuajse në të 25 episodet e 222 faqeve të romanit.  Ideja e  “tregtisë së nderit” iu ngulit kështu personazhit kryesor, Nderimit, që ditën kur babai i tij, ish komandanti i vërtetë i batalionit gjatë LANÇ, pasi ia çorri maskën ministrit dyfytyrësh, i kërkoi të birit të shkonte të blinte “Dhjetë gramë nder” në ndonjë dyqan të qytetit (?!)…..

Që këtu, autori përcjell me mjeshtri të rrallë artistike mesazhin e domosdoshmërisë së rishkruarjes së historisë me realizëm. Dhe ndërsa babai e pagoi me ndëshkime tejet të rënda mbrojtjen me stoicizëm të së vërtetës për kontributin e tij në LANÇ, vite më vonë pas ndryshimit të sistemit, i biri Nderimi, mori kredi për të zgjeruar tregun e nderit (fq.25). Klubi që ai kishte rregulluar me atë kredinë e majme, kishte qenë dikur klubi i gazetarëve të qytetit, edhe ata shitës të dikurshëm të ndërgjegjes. Kështu, në shitoren me tabelën “Këtu shitet nder”, vijuan të vijnë, jo vetëm prostituta të çnderuara nga  “burra me çorape shtatë javë të palara, me kutërbim shurre dhe sperme..” (fq.28), por edhe të dërguar nga politikanë të rangut të lartë, nga deputetë e ministra, prokurorë e gjykatës të korruptuar e të inkriminuar. Vinte të blinte 1 gramë, dhjetë apo një kilogram nder, edhe ndonjë që mendonte se me të mund të pastrohej e të bëhej i ndershëm, ndonëse “..kishte vjedhur pensionin e nënës, një tjetër që kishte nxjerrë gruan e tij në semafor, një i tretë që kishte bërë grabitje shumash të mëdha, por pa prekur asnjë qindarkë me dorë, pa çarë mure e pa thyer kasaforta, por vetëm duke hakëruar disa llogari bankare, një i katërt që kishte hall të merrte vesh se si i bëhet me atë që, duke qenë shofer i një ministri, kishte marrë përsipër aksidentin e kryer nga shefi i tij, dikush që pyeste nëse ishte humbje nderi ta tradhtosh gruan me dashnoren apo edhe me vajzën e bosit të kompanisë, sekretare e të cilit është gruaja jote…”(fq.194).. Një sarkazëm therëse kjo, e autorit Dokle, që buron nga njohja gjer në perfeksion prej tij e realitetit të trishtë që përjeton shoqëria shqiptare e këtij tranzicioni të tejzgjatur. Por edhe denoncimi nëpërmjet fjalës artistike i fenomeneve e dukurive gërryese e shfarosëse të krijuara e manifestuara nga kriminelë të veshur me pushtet. Dhe kur dikush vinte e i kërkonte “nder për të vdekurit”, i sigurt se do të rrokullisej me vërtik në greminën e falimentit, Nderimit i vjen ndërmend thënja proverbiale e babait “Ironia është më e fortë se pushka, të vret e s’të jep dekorata”. Kjo do t’i kujtohej më së miri kur ndonëse pluhuri në “qeskat e nderit” ishte një kombinim interesant, fruta tropikale me hudhra shqiptare (simbol i integrimit tonë eurobotëror), provoi për 72 orë qelitë e burgut, pas denoncimit që kishte bërë vjehrri i tij (Tosun Brinja, një ish polic famëkeq i diktaturës që kishte përdhunar deri edhe vajzën e tij) dhe dëshmisë së një djali që deklaronte se kishte blerë në klubin e tij qeska me drogë…(dhe që për të shpëtuar nga ndëshkimi i pamerituar ju desh të paguante qimet e kokës). (fq.191).

 

DENONCIMI PËRMES FJALËS ARTISTIKE I PABARAZISË ULËRITËSE

 

Kureshtja e lexuesit sa vjen e shtohet kur Dokle, si askush tjetër përshkruan mjeshtërisht e me gjuhë mjaftë të pasur, madje gjer në detaje, njohjen me “vrasës me pagesë dhe pa pagesë, vrasës të grave dhe ndonjë vrasëse të burrit; përdhunues kafshërorë, zyrtarë të korruptuar, hajdutë pronash dhe bankash, drogaxhinj të droguar dhe të tjerë esëll, shpërdorues fondesh dhe tenderash, fshehës të armëve pa lejë, bankierë hajdutë dhe avokatë mashtrues…”. Dhe pasi sjell në referencë filozofinë se “burgu është për burrat” nuk nguron të denoncojë gënjeshtrën e madhe se “në burg janë të gjithë të barabartë”. Po aq e madhe sa gënjeshtra e Bill Gejtsit që pat thënë se, përballë sëmundjeve, të gjithë njerëzit janë të barabartë. “Pabarazia ulërinte, njëlloj si jashtë, por në ngushtësinë e birucave e të koridoreve dëgjohej më shumë, më fort dhe jehona e saj nuk pushonte asnjë grimë, natën dhe ditën, në çdo imtë frymëmarrje, në çdo vështrim gardiani, në çdo skërmitje të oficerit të policisë gjyësore, në çdo llogari avokatësh, prokurorësh dhe gjyqtarësh, nuk pushonte dhe të gërryente përbrenda e të terte përjashta. Të dukej vetja si skelet i tharë në diell…” (fq. 193).

Do të mjaftonte qoftë dhe vetëm ky perifrazim për të kuptuar se sa thellë e me detaje e njeh e përshkruan Dokle realitetin e trishtë të burgjeve e të drejtësisë së sotme shqiptare. Pjesë e këtij realiteti është edhe sistemi inormativ sipas të cilit “posta e burgjeve është më e shpejta në botë”.

 

IRONIA THERËSE NË GJUHËN E PERSONAZHEVE

 

Në romanin “Dhjetë gramë nder” të Namik Dokles lexuesi befasohet edhe nga ironia therësë që ai vë në gojën e personazheve. Më e dukshme kjo në perifrazime të tilla si : “..pas martesës, pas dashurisë së parë pa çarçafë të skuqur, të gjithë djajtë dhe djallëzitë u zgjuan, më pëshpëritnin, më pickonin, më kruanin pas veshit dhe, dhjetra herë , isha bërë gati ta bëja pyetjen fatale: kush ta mori virgjërinë? Por tmerrin më të madh e ndjeva atë ditë, kur ai, Tosuni i poshtër, babai i ndyrë, qelbaniku i shtatë gjirizeve, në përpjekjet për të më detyruar t’i jepja gjysmën e biznesit më tha: Kush ia mori virgjërinë gruas sate. A e gjete të virgjër nusen tënde?!” (fq.184).

Apo dhe rrëfimi për shurranin e monumenteve, si histori dykohëshe e diktaturës dhe e demokracisë, e atij që pasi kishte lënë rrogën e 15-ditëshit në birrarinë me qofte e qepë filloi të shante: “Të pshurrsha mu në rrogë…të pshurrsha…të pshurrsha…”, dhe dy policë, sikur të kishin mbirë nga dheu, e mbërthyen për krahu…e torturuan aq shumë për të treguar se kush e kishte urdhnue me e pshurr udhëheqësin e botës (bustin e Stalinit)…dhe kur filluan ta paguejnë si ish-të përndjekur politik: “…e çoi dreqi në Tiranë dhe atje e kapën duke pshurr monumentin ish-mbretit…”.

Ishte ky një rrëfim sa prekës aq edhe interesant i atyre blerësave të “një gramështit të nderit”. Më të vërtetë, nga vetë titulli i romanit “Dhjetë gram nder”, gjithkush do të mahnitej me gjuhën e pasur të Dokles në dhjetra e qindra raste të përdhosjes së nderit, nga deputetë e ministra, nga prokurorë e gjykatës, nga….dhe në përshkrimin brilant të skenave e veprimeve të Nderimit, personazhit kryesor të romanit, që u ka dhënë nder nderprishurve dhe nderprishësve…Kësisoj, ndërsa e profilizon si tregtarin që kishte zgjedhur mallin e duhur për këtë kohë, kur gjithshka, gjithë ekzistenca njerëzore kishte dalë në shitje, Dokle përçon po aq bukur edhe mesazhin se do të ishte më mirë, që në vend të nderit, të shiste pluhurin e harresës.

Përdorimin mjeshtëror të sarkazmës nga Dokle e ndeshim edhe në episodin e thyerjes së xhamave të klubit të Nderimit, nga turma të nxitura prej kryehoxhës dhe kryepriftit të qytetit. “..ajo revoltë nuk kishte të bënte me partitë, ajo rrëmore zemërimi nuk vinte nga përrenjtë e politikës. ‘O i pafe dhe trushkulur!’ apo ‘Të digjen heretikët’, nuk ishin parulla mitingjesh për çfarëdolloj zgjedhjesh”, por inskenime të klerikëve me pretekstin se shitësi i nderit po çnderon qytetin!.

Sa kënaqësi të lexosh Namik Doklen, qoftë edhe në përfytyrimin prej tij të Kapiten Tosun Brinjës, që kur ishte i plotfuqishëm për mbledhjen e detyrimeve ndaj shtetit…vriste e priste, kërcënonte dhe bërtiste: “Akoma nuk keni parë gjë. Akoma! Unë s’jam vetëm Tosuni i detyrimeve, por jam kapiteni i tatimeve, i hetimeve, i internimeve, e morët vesh?”. Një fantazi e shfrenuar kjo e autorit Dokle, duke hequr paralele midis të pandreqshmëve të dy kohëve.

 

DISA HISTORI TË TRISHTA TEK “DHJETË GRAM NDER”

Sa shumë bëma e gjëma, sa histori të pathëna e të padëgjuara! Përveçse trishtimit njerëzor nga përdhosja e nderit, në romanin e ri të Namik Dokles ka plot ngjarje, në të cilat gëlojnë histori të trishta. Përcillen ato mjeshtërisht në gojën e Xha Veros, por dhe tek historitë e ustait Bajro Jella që muroste shishet me tituj gazetash e letra referuese brenda të cilave përshkruante me pak fjalë histori rastësore me mesazhe të qarta për kohën. Qasje vërtetë interesante e autorit, letra në të cilën shkruhej: “Kjo godinë deri sot ka qenë xhami, që nuk i gjendej shoqja në nëntë fshatrat e krahinës. Tani ky shtet e ka kthyer në magazinë drithi,. Shteti është komunist, udhëheqës është Enver Hoxha; ky shtet ka shkatërruar xhamitë dhe kishat dhe na ka rrjepur shtatë lëkura..”. Befasi për lexuesin është përshkrimi i rrjepjes nëpërmjet shtatë lëkurëve nga pushteti i kohës së diktaturës, që nisin me triskat e ushqimit dhe detyrimet për shtetin; me punën angari duke i detyruar fshatarët të punonin argatë në pronat e tyre; me vendosjen e regjimit të kufirit; me futjen në kooperativë kur u mori tokë e bagëti, nder e dinjitet; kur i detyroi gratë të ndërrojnë rrobat tradicionale me tuta dhe funde që të bëheshin të gjitha njëlloj, si ushtarët kinezë…. Dhe kështu e pësoi Bajro Jella, të cilin gruaja e ngushëllonte me fjalët se “nuk do të jetojë sa orlët as Enver Hoxha”,  ndërsa ai u përpoq t’i japë  zë murit dhe  gjak gurit!.

E vënë në gojën e Bajro Jellës, është vërtetë histori e trishtë ajo kur ndërsa priste të dëgjonte të qarën e parë të një fëmije që takohet me këtë botë, nga dhoma tjetër, nga dhoma e nuses erdhi një ulërimë e një ejkamë që e drodhi n ‘flokë e n’thua….ulërima e nuses që burrave që e bartën 5 orë në krah për në maternitetin e qytetit, në grahmat e fundit u tha “amanet vajzën”!. Dhe më trishtuesja në këtë histori, urdhëresa e kryetarit që “për atë vdekje duhet të bëheshin të pazëshëm, si vetë vdekja”.., që të mos trazohej ai imazhi i shtetit.  (fq.79).

Pjesë e ligjërimit artistik të autorit të këtij romani është edhe ajo e çobanit të dhenve në Bjeshkët e Sharrit, që ndërsa po ndante bukën me udhëtarin e rrugës, kur ky i fundit nxorri thikën e ju turr t’ia  rrëmbente orën që e kishte kujtim nga i ati kurbetçi, çobani më i shpejtë, mori një gur e i ra në kokë duke e lënë të vdekur.

Në strukturën kompozicionale krejt të veçantë të këtij romani bën pjesë edhe historia e strehimit të doktor Zhakos me të bijën (nga hebrejtë e Prizrenit) në mullirin e fshatit, kur Bajro, besnik i shprehjes proverbiale “shtëpia është e mikut dhe e Zotit”, tek sa ndodhej pranë vajzës bukuroshe me emrin biblik Hannah, ndjente se si “magma e shpirtit të tij ngrohej dhe ftohej, shpërthente dhe përzihej me pluhurin dhe merimangat e qosheve të mullirit e aty kapej si mizat”. Këtu lexuesi befasohet nga bukuria e rrëfimit, natyrshmëria, ritmi, muzikaliteti dhe ngjyrimet e fjalës, trilli dhe lakonizmi, si veçori të pranishme në përshkrimin si askush tjetër të bukurisë femërore nga autori: “kur (Bajro) pa të hynin në mulli burrin e motrës bashkë me një tjetër të veshur me rroba qyteti dhe një vajzë të re, një lule bore në mes të dimrit…me gjoksin e kërcyer si dy ftonj të sapozverdhur”. Kështu, aq bukur dhe natyrshëm përcillen në këtë roman brengat njerëzore, bukuria e rrëfimit dhe larmia e subjekteve.

Autori N.Dokle ka qasje tejet origjinale edhe në përzgjedhjen e emrave të personazheve si: Bajro, Hanza, Selba, Vaje, Jasmir, Hashmet, Tosun etj; në përdorimin e shprehjeve të shumta popullore dhe përafrimin me to të vargjeve të këngëve, si dhe në përshkrimin e grafitëve.

Në tërësinë e këtij romani ndeshim koleksion rrëfimesh sa shqiptare po aq universale, ngjizur me fantazi të pashtershme kreative dhe të harmonizuara në një libër të strukturuar gjithë origjinalitet ku spikat niveli i lartë artistik i një  mjeshtri të rrallë të prozës së sotme bashkohore.

 

PERIFRAZIME SI SHPREHJE FILOZOFIKE

 

Nëse gjatë leximit  të romanit “Dhjetë gramë nder” ndeshim fjalë e fjali të rralla që na nguliten në memorie, si:

“Humbi si kova në pus”; “Kali nuk lidhet te guri i varrit”; “Dashni me helm të ambël”; “Më dogji si eshkë pa tym”; “Prushi nën hi e mban zjarrin pa fikë”; “Kur bluan pa drithë, prish gurin e mullirit”; “Kur sulet miza prishet gjiza”; “Hesht dhe duro, leckat arrno”; “E di kangën, por zani nuk po m’del”; “Ishte strrall e çallashnik që nuk zbutej”; “Pasha, a ke punë me mue, apo me kaçupin tim?!”;“Paskam kafshuar më shumë nga sa mund të përtypë” e “Gjithshka këputet për së holli, zollumi për së trashi”; gjejmë gjithashtu në këtë roman rrëfimtarin filozof me thënie të atilla proverbiale, që mund të shërbejnë si postulate. Ja disa prej tyre:

  • “Plaku është si zogu pa krahë, është si rrobja e hollë që nuk mban të qepur”;
  • “Atë që shkel për së gjalli, mos e përcill te varri”;
  • “Sëmundja më e keqe në botë është shëndeti pa para”;
  • “Çfarëdo që të ngel në fyt, shtyhet me ujë, por kur të ngec uji si t’ia bësh?”
  • “Njeriu sa më pranë njerëzores – Në fund të fundit ose je, ose nuk je njeri”;
  • “Është mençuri e madhe të rrjepësh budallenj”;
  • “Ironia është më e fortë se pushka, të vret e s’të jep dekorata”;
  • “Shtëpia nuk është vetëm banesë, por edhe duk e krenari”;
  • “Nuk ka rëndësi çfarë bëra, por çdo të ndodhë me atë që bëra”;
  • “Hekurin e ha ndryshku, miqësistë politike myku”.

dhe

  • “Sa më shumë hollësira të rrasësh në një gënjeshtër, aq më shpejt thartohet ajo- Është si tallashi në suxhuk”.

Lexon Namik Doklen e të vjen të thuash: “Faleminderit, Mjeshtër, letërsia juaj është e mrekullueshme.” Kështu ndodh edhe kur lexon romanet e tij: “Kolerë në kohë të dashurisë”, “Vallëzim me hënën, “Covid – 1984”, “Vajzat e Mjegullës” – botuar edhe në Spanjë e në Londër; “Mjegulla e dimrit të largët”; “Ditët e lakuriqëve të natës”; “Lulet e skajbotës”; dramat “Shën Mëria e Beratit” dhe “Dënimi i dytë i Homerit”, dhe së fundmi romanin “Dhjetë gram nder”, – një gërshetim i jetës së përditshme me elementë  distopisë, një radioskopi e shoqërisë në kohët moderne.

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top