Vdekja e javës së kaluar e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar duhet të shihet si një mundësi për të “filluar një fazë të re negociatash për një armëpushim në Gaza “, tha presidenti francez Emmanuel Macron gjatë një bisede telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të hënën.
Macron i kërkoi Netanyahut të ruajë infrastrukturën civile në Liban dhe t’i japë përparësi mbrojtjes së civilëve ndërsa punon për një armëpushim. Ai dënoi gjithashtu sulmet e Izraelit ndaj UNIFIL , misioni paqeruajtës i OKB-së në Liban, i cili plagosi disa paqeruajtës në javët e fundit. Macron theksoi se vdekja e Sinwar “duhet të jetë një mundësi për të nisur negociatat e reja për një armëpushim në Gaza”, shtoi deklarata.
Që nga 23 shtatori, Izraeli ka kryer sulme ajrore të gjera në Liban duke synuar ato që pretendon se janë pozicionet e Hezbollahut , duke shënuar një përshkallëzim pas një viti konflikti ndërkufitar me grupin libanez në mes të ofensivës së vazhdueshme të Izraelit në Gaza.
Autoritetet shëndetësore libaneze raportojnë se rreth 2,500 njerëz janë vrarë dhe mbi 11,500 janë plagosur në sulmet izraelite që nga viti i kaluar. Më 1 tetor, Izraeli e intensifikoi konfliktin duke nisur një sulm tokësor në Libanin jugor.
Vendi ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Gaza pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi vitin e kaluar, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm. Autoritetet lokale shëndetësore raportojnë se më shumë se 42,600 njerëz janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, me afro 100,000 të plagosur.
Operacionet ushtarake izraelite kanë zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e Gazës, të përkeqësuar nga një bllokadë e vazhdueshme që çon në mungesa kritike të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Izraeli aktualisht po përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për shkak të veprimeve të tij në Gaza.