Ndërsa Tirana provon të vendosë nën presion dyshen e kreut, pas sfidës në transfertë me Erzenin, vëmendja sot është në derbin e kryeqytetit. Partizani do të luajë kundër Dinamos, ku është një njohje e vjetër e tyre, Dritan Mehmeti. Bardheblutë duhet të fitojnë me shijakasit, për të shpresuar në ndalesën e skuadrës së Abilaliajt. Tre ndeshje luhen të martën, ku Egnatia synon t’i përgjigjet Partizanit. Ndeshje mbijetesë ndërkohë mes Teutës e Vllaznisë.
E para zbret në fushë Tirana, që kundër Erzenit shpreson të ketë mundësinë të vendosë nën presion kryesuesit. Për momentin diferenca mes tyre është 6 pikë, por Partrizani luan derbin e Egnatia në transfertë. Të kuqtë, kryesues me 27 pikë bashkë me Egnatian do të gjejnë përballë ish-teknikun e tyre Dritan Mehmeti, të pamundur që kur është ulur në pankinën e bluve. Dinamo në fakt i ka përmirësuar pozitat, por duhet të testojë veten kundër një prej pretendentëve kryesorë për titull.
TRE NDESHJE TË MARTËN
Tre ndeshje do të kompletojnë javën të martën, që nis me Laçin përballë Egnatias. Rrogozhinasit nuk humbasin prej 6 javësh, në të cilat katër janë fitore, ndërsa Josa shpreson të bëjë kthesën, me kurbinasit që nuk njohin suksesin prej 5 javësh. Kukësi i Nicës, gjithashtu në fushë në orën 13.30 do të presë Skënderbeun. Blutë kanë humbur me teknikun në pankinë, vetëm ndaj 3 kryesuesve të kampionatit e shpresojnë tashmë që të arrijnë korcarët në renditje. Skuadra e Gvozdenovic vjen nga fitorja inkurajuese me 10 lojtarë kundër Teutës, porn ë Kukës Arena do të jetë e vështirë të përsëritet.
Sfida e fundit e javës është ajo e zonës së ftohtë të renditjes ku Teuta e vendit të fundit pret Vllazninë. Dy skuadrat ndahen nga vetëm dy pikë, por durrsakët kanë tre humbje e një barazim në katër daljet e fundit. Kuqeblutë, gjithësesi, kanë marrë vetëm një pikë më shumë se ata, në të njëjtën periudhë kohe.
SUPERIORE, JAVA XIV
27/11/23
Erzeni 13:30 Tirana
Partizani 17:00 Dinamo
28/11/23
Laçi 13:30 Egnatia
Kukësi 13:30 Skënderbeu
Teuta 16:00 Vllaznia