Lufta në Ukrainë ka arritur në ditën e 736 dhe në një fjalim në parlamentin e Rusisë, presidenti Vladimir Putin ka kërcënuar me “asgjësimin e qytetërimit”, nëse Nato vazhdon të përparojë në kufi me Rusinë.
“Gjithçka që po sajon Perëndimi, çon në të vërtetë në kërcënimin e një konflikti me armë bërthamore dhe për rrjedhojë në asgjësimin e qytetërimit” ka thënë Putin. Presidenti rus iu drejtua drejtpërdrejt vendeve perëndimore, kur deklaroi më pas: “Edhe ne kemi armë të afta për të arritur në territoret tuaja”.
Gjatë fjalimit ai njoftoi se raketa balistike Sarmat i është dorëzuar ushtrisë dhe “së shpejti do të demonstrojmë aksionin në terren”. Ndërkohë, në 24 orët e fundit ka pasur mbi njëqind “sulme të furishme të ushtrisë ruse në të gjithë vijën e frontit”. Kjo u raportua nga Shtabi i Përgjithshëm i Mbrojtjes së Kievit.
“I gjithë vendi” mbështet ushtarët rusë të përfshirë në operacionin ushtarak në Ukrainë dhe të bashkuar “ne mund të kapërcejmë gjithçka” ka thënë Putin në fjalimin e tij para dhomave të mbledhura të parlamentit rus.