Pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pezulloi “tarifat reciproke” ndaj partnerëve kryesorë tregtarë të SHBA-së më 9 prill, ai i rriti ato mbi mallrat e Kinës. Taksat tregtare amerikane mbi shumicën e importeve nga Kina janë rritur në 145 për qind. Pekini u kundërpërgjigj me tarifa të veta, në nivelin 125 për qind mbi mallrat amerikane.
Trump prej kohësh e ka akuzuar Kinën për shfrytëzimin e SHBA-së në tregti, duke i paraqitur tarifat e tij si të nevojshme për të ringjallur prodhimin vendas dhe për të rikthyer vendet e punës përsëri në SHBA. Ai gjithashtu dëshiron të përdorë tarifat për të financuar ulje të taksave. Shumica e ekonomistëve mbeten skeptikë se Trump do t’i arrijë qëllimet e tij.
Për momentin, SHBA dhe Kina janë të mbërthyer në një lojë të rrezikshme nervash. Bota po pret të shohë se cili vend do të tërhiqet dhe cili do të rezistojë deri në fund. Ndërsa Trump po i afrohet për herë të dytë 100 ditëve të tij të para në detyrë, ja ku qëndron lufta tarifore me Kinën:
Çfarë po ndodh me negociatat?
Trump së fundmi e përmendi mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje tregtare me Kinën. Javën e kaluar, presidenti amerikan tha se tarifat e tij mbi Kinën “do të ulen ndjeshëm” në një të ardhme të afërt.
“Ne do të kemi një marrëveshje të drejtë me Kinën,” u tha Trump gazetarëve më 23 prill, duke ngjallur shpresa për një ulje tensionesh. Ai gjithashtu tha se administrata e tij ishte duke negociuar “aktivisht” me palën kineze, pa dhënë më tepër detaje.
Megjithatë, më 24 prill, Ministria e Tregtisë e Kinës i hodhi poshtë komentet e presidentit Trump, duke thënë se nuk po zhvillohen bisedime mes dy vendeve.
“Çdo pretendim për përparimin e negociatave ekonomike dhe tregtare Kinë-SHBA është i pabazë dhe nuk ka asnjë bazë faktike,” tha zëdhënësi i ministrisë He Yadong.
Ndërsa ai këmbënguli se Pekini nuk do t’i shmangej goditjeve ekonomike nga Uashingtoni, gjithashtu tha se dera ishte “krejtësisht e hapur” për bisedime.
Javën e kaluar, agjencia e lajmeve Reuters raportoi se Kina ishte duke vlerësuar përjashtime për disa importe të zgjedhura amerikane, një listë prej deri 131 produktesh.
Pekini nuk ka bërë ende asnjë deklaratë publike lidhur me këtë çështje.
A ka ndikuar lufta e tarifave mbi eksportet e SHBA-së?
Trump i vendosi tarifat e tij gjithëpërfshirëse mbi Kinën më pak se tre javë më parë. Pasojat për bizneset amerikane nuk do të ndihen plotësisht deri më vonë këtë vit. Megjithatë, sinjalet paralajmëruese tashmë po pulsojnë me të kuqe.
Të dhënat nga Departamenti Amerikan i Bujqësisë tregojnë se eksportet e sojës, produkti më i madh bujqësor i SHBA-së për eksport, ranë dramatikisht gjatë periudhës 11-17 prill, java e parë e plotë raportuese që prej njoftimit të Trump-it për tarifat ndaj Kinës.
Deri më 17 prill, shitjet neto të sojës amerikane ranë me 50 për qind krahasuar me javën e kaluar. Kjo rënie u shkaktua nga një ulje prej 67 për qind në eksportet javore të sojës drejt Kinës, e cila deri së fundmi ishte destinacioni më i madh i eksporteve amerikane për këtë produkt.
Sipas Piergiuseppe Fortunato-s, profesor i ekonomisë në Universitetin e Neuchatel-it në Zvicër, “tarifat hakmarrëse të Kinës do t’i godasin rëndë fermerët amerikanë. Disa mund të falimentojnë.” Ai shtoi se të gjithë sektorët me ekspozim ndaj Kinës do të pësojnë vështirësi.
Në vitin 2023, SHBA eksportoi rreth 15 miliardë dollarë naftë, gaz dhe qymyr drejt Kinës. Humbja e atij tregu do t’i godiste kompanitë energjetike amerikane.
A do të pësojnë goditje importet në SHBA?
Që nga fillimi i luftës tarifore të Trump-it, dërgesat e mallrave kanë rënë ndjeshëm. Sipas Linerlytica-s, një ofrues i të dhënave të transportit detar, rezervimet e ngarkesave kineze drejt SHBA-së ranë nga 30 deri në 60 për qind në prill.
Reduktimi drastik në dërgesat nga partneri i tretë më i madh tregtar i Amerikës, pas Kanadasë dhe Meksikës, ende nuk është ndjerë plotësisht. Megjithatë, në maj mijëra kompani do të duhet të rimbushin inventarët e tyre.
Sipas Bloomberg News, gjigandët e shitjeve me pakicë Walmart dhe Target i thanë Trump-it në një takim javën e kaluar se blerësit do të shohin rafte të zbrazëta dhe çmime më të larta duke filluar muajin e ardhshëm. Ata paralajmëruan gjithashtu se tronditjet në zinxhirin e furnizimit mund të shtrihen deri në Krishtlindje.
Aparatet elektronike, si televizorët dhe lavatriçet, përbënin 46.4 për qind të importeve amerikane nga Kina në vitin 2022. SHBA gjithashtu importon nga Kina një pjesë të madhe të veshjeve dhe përbërësve farmaceutikë. Çmimi i këtyre produkteve do të fillojë të rritet muajin tjetër.
Më 22 prill, Fondi Monetar Ndërkombëtar e rriti parashikimin e inflacionit të SHBA-së në 3 për qind për vitin 2025, për shkak të tarifave, një përqind më shumë sesa në janar. Fondi gjithashtu e uli parashikimin për rritjen ekonomike të SHBA-së dhe rriti pritshmëritë se ekonomia amerikane do të futet në recesion këtë vit.
Si do të ndikohet ekonomia e Kinës?
Pavarësisht tensioneve në rritje midis SHBA-së dhe Kinës, Uashingtoni dhe Pekini mbeten partnerë kryesorë tregtarë.
Sipas Zyrës së Përfaqësuesit Tregtar Amerikan, SHBA importoi 438.9 miliardë dollarë në mallra kineze vitin e kaluar.
Kjo shifër përbën afërsisht 3 për qind të prodhimit ekonomik të përgjithshëm të Kinës, e cila mbetet e varur në mënyrë të konsiderueshme nga eksportet.
Në një raport për klientët e saj këtë muaj, Goldman Sachs tha se pret që tarifat e Trump-it të ulin GDP-në e Kinës me deri në 2.4 pikë përqindje.
Zyrtarët e lartë të Kinës thanë se vendi mund të mbijetojë pa importet bujqësore dhe energjetike amerikane, duke premtuar rritje ekonomike 5 për qind për këtë vit.
Zhao Chenxin, nënkryetar i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformave, tha se së bashku me importet jo-amerikane, prodhimi vendas bujqësor dhe ai i energjisë do të mjaftonin për të plotësuar kërkesën.
“Edhe nëse nuk blejmë drithëra ushqimore dhe fara vajore nga Shtetet e Bashkuara, kjo nuk do të ketë shumë ndikim në furnizimin e vendit tonë me drithëra,” tha Zhao të hënën.
Ai gjithashtu vuri në dukje se do të kishte ndikim të kufizuar mbi furnizimet energjetike të Kinës nëse kompanitë do të ndalonin importin e lëndëve djegëse fosile amerikane.
Në një farë mënyre, thanë ekspertët, Kina ka qenë duke u përgatitur për këtë krizë.
Fortunato i tha Al Jazeera-s: “SHBA-ja është një nga tregjet më të mëdha eksportuese të Kinës, kështu që tarifat do të ngadalësojnë rritjen e GDP-së. Por Pekini ka luajtur në mënyrë inteligjente duke filluar diversifikimin e importeve të veta larg SHBA-së gjatë luftës së parë tregtare të Trump-it,” në vitin 2018.
Ai gjithashtu theksoi se “SHBA varet nga Kina deri në 60 për qind për importet e saj të mineraleve kritike, të përdorura në gjithçka, nga energjia e pastër deri te teknologjia ushtarake. Në drejtimin e kundërt, ky lloj fluksi thjesht nuk ekziston, kështu që SHBA-ja është më e cenueshme.”
A mund ta humbë SHBA-ja pozicionin e saj gjeopolitik?
Trump-i nuk e ka fshehur shumë dëshirën e tij për t’i përfshirë aleatët e SHBA-së në një luftë tregtare. Administrata tha se synon të arrijë marrëveshje tregtare të lira me Bashkimin Europian, Britaninë e Madhe dhe Japoninë.
Në mënyrë më të përgjithshme, raportet sugjerojnë se Uashingtoni po u kërkon partnerëve tregtarë të zbusin lidhjet e tyre ekonomike me Kinën si parakusht për të siguruar lehtësimin nga tarifat “reciproke” të Trump-it.
Megjithatë, aleatët e SHBA-së duket se janë kryesisht kundër çdo përplasjeje ekonomike me Kinën. Javën e kaluar, Komisioni Europian tha se nuk ka asnjë synim për “ndarje” nga Kina.
Në një vend tjetër, Kancelarja britanike e Thesarit Rachel Reeves i tha së fundmi gazetës Daily Telegraph: “Kina është ekonomia e dytë më e madhe në botë, dhe do të ishte, mendoj, shumë marrëzi të mos angazhohesh me të.”
Shumë vende nuk janë në një pozicion për të braktisur lidhjet e tyre tregtare me Pekinin. BE-ja, në veçanti, ka një deficit të madh tregtar me Kinën. Ndërprerja e aksesit te mallrat kineze, si produktet e konsumit, ashtu edhe lëndët e para për industrinë, do ta dëmtonte ekonominë e saj tashmë të dobësuar.
Në të gjithë botën në zhvillim, roli tregtar i Kinës është po aq vendimtar. Përafërsisht një e katërta e importeve të Bangladeshit dhe Kamboxhias vijnë nga Kina. Nigeria dhe Arabia Saudite janë po ashtu në mënyrë të ngjashme të varura nga Pekini për importet e mallrave të tyre.
“Është e vështirë të kuptohet pse vendet do të dëshironin të minonin interesat e veta ekonomike për të ulur deficitin tregtar të Amerikës me Kinën,” tha Fortunato. “Në këtë pikë, unë mendoj se Trump-i ka qenë dritëshkurtër dhe mund të detyrohet të jetë i pari që do të dorëzohet për uljen e tarifave ndaj Kinës.”
Al Jazeera, përshtati në shqip ©LAPSI.AL