Juventus është në vendin e katërt me 63 pikë dhe në -3 nga AC Milan dhe SSC Napoli që kanë nga 66. Bardhezinjtë janë në +5 nga Como dhe kanë një avantazh të mirë për një vend në Champions. Kundër Bolonjës, fitorja e Juventus erdhi pas një paraqitjeje shumë të fortë nga skuadra e teknikut Luciano Spalletti, e cila, pavarësisht një Yildiz jo në formën më të mirë, nuk lejoi pothuajse asgjë për ekipin e Vincenzo Italianos. Spalletti nuk kishte asgjë për t’i qortuar skuadrës, aq sa për 7 minutat e para nuk foli fare. Por reagoi kur pa gjestin provokues të Jhon Lucumí ndaj Francisco Conceição.
Në një moment portugezi sfidon mbrojtësin, i cili e duartroket për ta provokuar dhe nervozuar. Spalletti nga zona teknike sheh gjithçka dhe nuk e pranon. Në fund të ndeshjes – siç u pa në rubrikën “Bordocam” në DAZN – ai shkon ballë për ballë me të.

Spalletti humb durimin, i kërkon Conceicao-s të sfidojë vazhdimisht Lucumí
Sapo sheh gjestin, Spalletti shpërthen: “Oh, çfarë do?”. Dhe kështu e nxit Conceicao-n: “Tani sfidoje!”. Trajneri i Juventusit i drejtohet edhe vetë mbrojtësit gjatë lojës: “Çfarë do Lucu?”. Lucumí nuk reagon. Spalletti nuk e pëlqen këtë dhe gjatë gjithë ndeshjes i bërtet portugezit Conceicao: “Shko sfidoje, shko sfidoje!”.

Sa herë që portugezi merr topin, ai këmbëngul: “Shko sfidoje, ai do që ta sfidosh”. Spalletti mbetet i fiksuar te kjo përballje. Juventus më pas gjen golin me Thuram pas asistit të McKennie. Në fund, para se të përshëndesë tifozët, Spalletti shkon në mesfushë për t’u përballur me Lucumí: “E duartrokite dhe i the të afrohej”. Mbrojtësi përpiqet të shpjegohet, por gjithçka mbyllet aty.