“Lojtarët u rrahën, delegati i FSHF-së na detyroi të luanim”: Teuta bërtet “skandal”

Teuta barazoi 2-2 të premten në Vlorë përballë Flamurtarit, në javën e 17 të Superiores, në një ndeshje që u ndërpre për 18 minuta nga invazioni i fushës nga tifozët. Dy skuadrat zbritën në fushë për të rinisur ndeshjen me rezultatin 0-1, pasi tribuna u zbraz nga tifozët, por gjërat sipas klubit durrsak kanë qenë shumë më ndryshe.

Në një komunikatë të shoqëruar me një video të pamjeve nga incidenti, Teuta akuzon se dy lojtarë të tyre Muço Boçi dhe Mario Beshiraj janë goditur nga lojtarët e Flamurtarit dhe më pas janë futur tifozët në fushë. Insistimit të miqve për të mos luajtur, i është kundërvënë delagati i ndeshjes Armando Mandro. Përmbysja e Flamurtarit sipas durrsakëve ka ardhur nga gjendja e rënduar psikologjike e lojtarëve të tyre, që për fat arritën të barazonin në minutën e 7 shtesë.

Komunikata e Teutës

Skandal në Vlorë! Futbollistët e Teutës dhunohen nga kundërshtarët! FSHF të marrë masa!

Një ngjarje e paprecedentë dhune u regjistrua në Vlorë, në ndeshjen Flamurtari–Teuta, ku futbollistët e ekipit tonë u dhunuan barbarisht nga kundërshtarët dhe tifozët vlonjatë.

KF Teuta kërkon të informojë publikun për dhunën që ndodhi në stadiumin e Flamurtarit, ku Muço Boçi dhe Mario Beshiraj u goditën me grusht nga lojtarët e Flamurtarit dhe më pas nga tifozët që mësynë fushën në minutën e 69-të.

Një episod i tillë i tronditi lojtarët, të cilët kaluan në shok psikologjik, por çuditërisht delegati i ndeshjes, Armando Mandro, kërkoi që loja të vazhdonte dhe i kërkoi policisë të boshatiste tribunën përballë (C).

 

KF Teuta insistoi se ekipi nuk mund të riluante ndeshjen, pasi ishte në gjendje të rënduar psikologjike, por delegati vendosi që ndeshja duhej të vazhdonte, pa u interesuar për dhunën e paprecedentë që ndodhi në fushë.

Ndeshja u kthye në ferr dhe lojtarët nuk ishin të gatshëm të luanin futboll, por, ndonëse KF Teuta nuk ishte dakord, pranoi të vazhdonte ndeshjen pas urdhrit të delegatit.

KF Teuta ka në dispozicion edhe një tjetër video ku tifozët e Flamurtarit nuk u larguan nga stadiumi, por shkuan në tribunën pas porte.

KF Teuta kërkon nga FSHF-ja që të merren masat për këtë ngjarje të rëndë dhe të zbardhet dinamika e saj. Urojmë që skena të tilla të mos përsëriten më, pasi njollosin futbollin shqiptar.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top