Parlamenti shqiptar rrezikon ti shtojë vetes një njollë turpi duke mos arritur në një emërues të përbashkët, lidhur me një rezolutë që dënon sulmin terrorist të 24 shtatorit, në Banjskë, në Kosovën veriore. Shefi i deputetëve demokratë, Gazmend Bardhi ka paralajmëruar sot dështimin e konsensusit për një draft të përbashkët që do të duhej të miratohej në seancën e 12 tetorit, pas 5 orëve debat në sallën e kuvendit. “Nuk ka një dakortësi për të dalë me një rezolutë të përbashkët pasi grupi i PS nuk mbështet rezolutën e parlamentit të Kosovës. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike me vullnetin e plotë, që e gjithë klasa politike të jetë e unifikuar ka bërë çdo përpjekje për një rezolutë të përbashkët. I bëj thirrje kolegëve të PS të heqin dorë nga konfirmimi i qëndrimit të Serbisë dhe të gjithë bashkë të mbështesim Kosovën” deklaroi Bardhi para gazetarëve.
Këtë qëndrim e konfirmoi edhe lideri demokrat Berisha. “Rezoluta që paraqet Grupi Parlamentar i PD-së është një rezolutë absolutisht në përputhje të plotë me qëndrimet e parlamentit të Kosovës, me qëndrimet e miqve të Kosovës. Pra, është një rezolutë shumë mirë e studiuar, po urojmë dhe shpresojmë që deputetët socialistë të mos mbeten skllevër të Vuçiçit, sepse ju e keni vënë re që emri i Vuçiçit nuk është përmendur ndonjëherë nga Edi Rama” tha ai.
Por çfarë e pengon konsensusin për këtë temë me rënëdësi kombëtare?
Për të gjetur kleçkën Lapsi.al ka kaluar me lupë përmbajtjen e dy drafteve, atij që propozon opozita dhe atij që ka përgatitur shumica qeverisëse. Pika kryesore që i ndan ato është tregimi i Beogradit me gisht si përgjegjës për sulmin terrorrist. Në draftin e PD-së thuhet “…pas sulmit terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë”.
Ndërsa në tekstin e socialistëve (poshte) termat janë shumë më të zbutura. Aty flitet për “sulm të organizuar terrorist”, por organizatori nuk përmendet me emër.
Një pikë tjetër ku palët ndahen në mënyrë të prerë është edhe kërkesa për të hetuar ndërkombtarisht Serbinë që gjendet në draft rezolutën e opozitës. Kjo pikë tek deputetët e pushtetit mungon.
ARMAND SHKULLAKU: Pse Edi Rama nuk hesht dot për Kosovën
Por, problemi është se të dyja këto drafte janë lehtësisht të krahasueshme me rezolutën që votoi me urgjencë, në mënyrë unanime, nga të gjitha krahët e politikës, paralamenti i Kosovës. Po të lexohet i plotë teksti i saj – gjë që Lapsi.al e ka bërë-, vërehet se aty janë të përfshira të dy pikat e nxehta që ndajnë socialistët me demokratët në Tiranë. Në qëndrimin e Kosovës, Serbia shenjohet si shtet organizator i sulmit terrorrist dhe ndaj saj kërkohet hetim ndërkombëtar, gjëra që drafti i qeverisë nuk guxon ti përmend.
Deri më tani krerët e deputetëve të PS kanë përdorur si alibi ato që ka thënë gojarisht Edi Rama se Shqipërisë i takon të jetë e balancuar, si vend anëtar i NATO-s. Kurse opozita është përgjigjur se kjo është thjeshtë një lojë që i shërben presidentit serb Vuçiç.
Dhe nëse drafti socialist me shumicë kartonash votohet në gjendjen që është propozuar sot, ky rrezikon të jetë një turp i dyfishtë. Së pari, sepse për një çështje me rëndësi kombëtare parlamenti shqiptar nuk do të jetë i unifikuar. Së dyti sepse ai mund të dëmtojë Kosovën duke mos u radhitur përkrah saj për dënimin e sulmit terrorist.