Është një thyerje totale mes Robert Lewandowski dhe Polonisë: sulmuesi nuk iu përgjigj thirrjes së kombëtares për këtë periudhë angazhimesh për shkak të disa shqetësimeve fizike, por në mungesën e tij trajneri Michal Probierz ndryshoi të gjitha hierarkitë duke ia hequr shiritin e kapitenit pas 11 vitesh. Një fyerje që polaku nuk e priti mirë, aq sa komunikoi në rrjetet sociale tërheqjen e tij të përkohshme, të paktën për aq kohë sa përzgjedhësi do të jetë ende në detyrë.
Ballë për ballë, një situatë që e ndan më dysh kombëtaren dhe që mund të krijojë probleme të mëdha edhe në të ardhmen. Në llogarinë e tij zyrtare në X, lojtari ka njoftuar se nuk do të luajë më me Poloninë derisa të ketë një ndryshim në pankinë, duke hedhur kështu një sfidë për federatën, e cila për momentin nuk kishte asnjë synim për ta shkarkuar përzgjedhësin. Në vendin e tij, shiriti do t’i jepet Zielinski, një zgjedhje që e ka lënë të hidhëruar sulmuesin.
Çfarë ndodhi mes Lewandowski dhe Polonisë
Pavarësisht 36 viteve të tij, sulmuesi vazhdon të jetë vendimtar si me Barcelonën ashtu edhe me kombëtaren dhe për momentin nuk bëhet fjalë për tërheqje. Por nga Polonia ka ardhur një fyerje e vështirë për t’u përtypur dhe që ka krijuar një çarje të qartë: Lewandowski nuk iu përgjigj thirrjes së trajnerit për shkak të shterimit të baterive fizike dhe mendore pas një sezoni shumë të gjatë, një refuzim që nuk u interpretua mirë nga Probierz, i cili vendosi t’i heqë shiritin e kapitenit që ai e mbante me shumë meritë prej 11 vitesh.
Biorąc pod uwagę okoliczności i utratę zaufania do selekcjonera Reprezentacji Polski postanowiłem do czasu kiedy jest trenerem zrezygnować z gry w Reprezentacji Polski. Mam nadzieję, że będzie dane mi jeszcze zagrać dla najlepszych kibiców na świecie.
— Robert Lewandowski (@lewy_official) June 8, 2025
Një fyerje, ndaj së cilës polaku vendosi të përgjigjet përmes rrjeteve sociale: “Duke marrë parasysh rrethanat dhe humbjen e besimit ndaj përzgjedhësit të Kombëtares polake, kam vendosur të mos luaj më për Kombëtaren polake për aq kohë sa ai të jetë trajner. Shpresoj të më jepet sërish mundësia për të luajtur për tifozët më të mirë në botë”. Përzgjedhësi nuk e pranoi mungesën e përgjigjes dhe për këtë arsye vendosi t’ia dorëzojë shiritin Zielinski, duke ndryshuar të gjitha hierarkitë dhe duke e lënë Lewandowski jashtë projektit të tij – një zgjedhje ndoshta ndëshkuese që i ka mohuar kombëtares lojtarin e saj më të mirë.