Epoka e Sergio Conceição sapo ka nisur dhe trajneri i ri i Milan është tashmë i thirrur për t’u përballur me disa sfida të rëndësishme. Së pari, Superkupa e Italisë, ku kuqezinjtë do të ndeshen pikërisht me Juventusin, ekipin ku luan i biri i tij, Francisco. Por për momentin, në kampin e Milanit ka çështje të tjera më urgjente. Kjo është arsyeja pse Conceição, që nga seanca e parë stërvitore, ka tentuar të imponojë menjëherë mentalitetin e tij te lojtarët. Vrapim, vendosmëri dhe shpirt sakrifice janë baza e ideve të tij për futbollin. Por duket se puna e tij nuk është kufizuar vetëm në fushë.
Sipas Sky Sport, Conceição ka ndërhyrë fuqishëm edhe në disa çështje merkatoje që, duke filluar nga 1 janari, pritet të dominojnë situatën. Ndër to, spikat negociata që mund ta çonte Fikayo Tomorin te Juventusi. Bardhezinjtë po punonin intensivisht për të përforcuar mbrojtjen e tyre, e cila është dobësuar pas largimit të Bremer dhe Cabal. Marrëveshja për mbrojtësin anglez dukej se ishte drejt finalizimit, por tani duket se Conceição ka vendosur të ndalojë gjithçka.
Lëvizja e parë e portugezit Conceição
Kjo mund të konsiderohet si lëvizja e parë e Sergio Conceição si trajner i Milanit. Trajneri portugez duket se dëshiron të vlerësojë disa aspekte përpara se të japë dritën e gjelbër për largimet. Me Paulo Fonseca, Tomori ishte jashtë projektit, pasi ish-trajneri preferonte Gabbian si qendërmbrojtës. Për këtë arsye, drejtuesit e Milanit kishin vendosur të shqyrtonin mundësinë e shitjes së lojtarit te Juventusi. Por mbërritja e Conceição-s në stol ka ndryshuar situatën dhe ka ngrirë një negociatë që dukej se ishte drejt përfundimit.
Lexo më tej: Prapaskenat e Conceição te Milan: klauzola në kontratë e fjalimi i Ibrahimovic
Tomori gati për një fillim të ri me teknikun Conceição
Me ndryshimin në pankinë te Milani, për momentin është bllokuar largimi i mbrojtësit anglez. Ditët e fundit, Juventus dhe disa klube të tjera kishin shprehur interes për Tomorin. Megjithatë, shkarkimi i Paulo Fonseca, i cili pas incidentit në Firence e kishte përjashtuar totalisht anglezin, mund të sjellë ndryshime të mëdha. Nuk përjashtohet mundësia që ardhja e Sergio Conceição-s të hapë për Tomorin një kapitull të ri te Milani, duke i rikthyer një vend titullari.