“Lëvizja Bashkë” refuzon ftesën e PD: Do kemi kandidatin tonë për Tiranën

Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori ka konfirmuar se forca e tij nuk do të bëjë asnjë koalicion në zgjedhjet e pritshme për bashkinë e Tiranës, por do të garojë me një kandidat e të kësaj force.

“Ne do të hyjmë me kandidatin tonë në këto zgjedhje. Besoj së afërmi këshilli Koordinues i Lëvizjes Bashkë do ta vendosë.

Të kandidojmë në Tiranë për ne është domosdoshmëri. Ka qenë një filozof që unë e kam për zemër, Baruk Spinoza shekuj më parë që thoshte se liria nuk është e kundërta e domosdoshmërisë. Liria është të bësh atë që është e domosdoshme për natyrën tënde.

Në këtë kuptim, për ne është e domosdoshme, por edhe shprehje e lirisë së lartë që ne të shkojmë prapë te qytetarët e Tiranës, në nëntor, dhjetor pasi nuk e di kur do të jenë zgjedhjet dhe t’ju kërkojmë votat dhe t’ju kërkojmë mbështetjen që të jemi instrumenti politik i transformimit të qytetit tonë.

Kjo do të thotë që fushatë do të kemi shpejt. Do të angazhohemi të gjithë për t’i bindur qytetarët. Unë jam i bindur se rezultati i “Lëvizjes Bashkë” do të jetë goxha më i mirë se në zgjedhjet e kaluara në Tiranë sepse e lexoj te reagimi i qytetarëve” – tha Qori.

Ai refuzoi publikisht ftesën e bërë nga Partia Demokratike që e gjithë opozita të dalë me një kandidat të përbashkët. Pak orë më parë deputeti i PD-së Belind Këlliçi i mandatuar nga Sali Berisha për të negociuar me partitë e tjera të opozitës tha se e kishte ftuar edhe Qorin për të hyrë në koalicion. Por ky i fundit i konsideron këto ftesa si “sirena e ftojnë në fund të detit”.

“Besoj e keni dëgjuar edhe ju ditët e fundit që Lëvizjes Bashkë po i afrohen lloj-lloj sirenash. Është si ajo anija e Odisesë që kalon nëpër ca shtigje me anijen e tij dhe janë disa sirena që të marrin mendjen që të thonë: “Hajde me ne në fund të detit se aty do të jetë mrekullia vetë”.

 

Këto sirena po i drejtohen tani “Lëvizjes Bashkë” dhe i thonë: “Hajde me ne! Bëhemi kështu e bëhemi ashtu. Bëjmë një koalicion me ketë e bëjmë një koalicion me atë se mrekullia vetë do të jetë”. Mirëpo është si në rastin e Odisesë sepse sirena të tilla nuk e kanë për mirë. Janë thjesht mënyra për të të gënjyer edhe për të të marrë në qafë dhe për të të bërë si vetja.

Lëvizja Bashkë nuk ka të dytë dhe nuk ka të ngjashëm në spektrin politik shqiptar, as mes partive të leqendisura të së shkuarës të korruptuara dhe as mes eksperimenteve të dështuara të herëpashershme që gjallojnë në jetën politike shqiptare” – tha Qori.

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top