Bayer Leverkusen nuk e ka kapërcyer dot eliminimin e pësuar nga Roma në gjysmëfinalen e Europa League. Jo për rezultatin sa për mënyrën si italianët shkuan në finale. Skuadra e Xabi Alonso u dënua nga goli i Bove në ndeshjen e parë. Në kthim pastaj, brenda mureve miqësore gjermanët nuk mundën të thyejnë rezistencën dhe mbrojtjen totale të verdhekuqve. Pas dy ditësh, gjermanët u kthyen të flasin për ndeshjen dhe hodhën akuza të rënda ndaj skuadrës së José Mourinhos.
Mjaftoi një blic nga i riu Bove i ri për t’i dhuruar Romës finalen e dytë radhazi. Skuadra e Mourinho luajti dy ndeshje me taktika kundërsulmi dhe u vendosën në mbrojtje, duke ia lënë topin Leverkusen. Gjermanëve nuk i kanë pëlqyer fare strategjitë e Romës dhe humbjet e vazhdueshme të kohës që bënin: “Është e neveritshme që ata janë në finale. Pas çdo goditje, ishte një nga lojtarët e tyre i dëmtuar rëndë. Është e trishtueshme që të luash kështu të çon te suksesi. Mendoj se secili prej tifozëve tanë i uron fat spanjollëve të Sevilla”. Këto ishin fjalët e drejtorit ekzekutiv të Leverkusen, që iu shtuan edhe ato të lojtarëve, ende të “irrituar” nga taktikat e Mou.
“NUK KANË LIDHJE ME FUTBOLLIN”
Lojtarët e klubit gjerman janë unison në kritikat ndaj Romës: “Ata nuk kanë lidhje me futbollin, nuk arrijmë ta besojmë. Nuk e meritonim të eliminoheshim nga një ekip i tillë. Pyesim veten se si është e mundur, për mënyrën si luajtën, që janë në finale. Ky nuk është futboll. Për të ardhur keq që një stil i tillë i lojës shpërblehet me hyrjen në finale. Është shumë e hidhur”. Deklarata të ashpra e me ton ato të lojtarëve të Bayer Leverkusen ndaj skuadrës së Mourinho. Portugezi, pavarësisht gjithçkaje, ka marrë rrugën drejt Budapestit, ku do të përballet me skuadrën spanjolle të Sevilla.