Letër e hapur për RTSH-në: Ndërhyrje urgjente dhe reformë rrënjësore tani Drejtuar Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama Flamur Buçpapaj

Letër e hapur për RTSH-në: Ndërhyrje urgjente dhe reformë rrënjësore tani

Drejtuar Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë,
Z. Edi Rama

Flamur Buçpapaj

Zoti Kryeministër,
Po ju drejtohem publikisht për çështjen e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), institucionit më të vjetër dhe më të rëndësishëm të medias publike në Shqipëri, i cili pas 35 vitesh demokraci ndodhet në një gjendje kritike dhe të papranueshme për një shtet që synon standarde europiane.
RTSH sot është realisht në udhëkryq: ose do të mbyllet, ose do të shitet, ose – dhe kjo është e vetmja rrugë e drejtë – do t’i nënshtrohet një reforme të thellë, rrënjësore dhe të ndershme. Gjendja aktuale nuk është rastësi dhe as fatkeqësi e përkohshme, por produkt i një degradimi të qëllimshëm, të ndërtuar për më shumë se 30 vjet.
Është tashmë e qartë për opinionin publik se RTSH dhe drejtimi aktual i tij janë të delegjitimuar. Po aq e qartë është se kjo drejtoreshë, në kuptimin politik dhe institucional, është realisht e shkarkuar, edhe pse ende formalisht në detyrë. Në këtë pikë, e them hapur: ju mbështes në qëndrimin dhe vlerësimin tuaj për këtë situatë.
Por po aq hapur duhet thënë se vonesat nuk i shërbejnë më askujt, përveç atyre që për dekada e kanë përdorur RTSH-në si burim përfitimi personal. Ndaj, ndërhyrja juaj urgjente nuk është më opsion, por domosdoshmëri.
Zoti Kryeministër,
Gjendja e RTSH-së nuk vjen nga mungesa e fondeve, por nga një model i gabuar drejtimi, ku institucioni publik u trajtua si plaçkë tranzicioni dhe jo si pronë e qytetarëve. Për tri dekada me radhë, RTSH u shndërrua në bankë financiare, në strehë punësimi dhe në zgjatim të interesave të medias private, duke humbur misionin e tij publik, edukativ dhe kulturor.
Dominimi i grupeve të mëdha mediatike private e ktheu RTSH-në nga alternativë publike në një institucion të varur dhe periferik. Emërimet drejtuese dhe punësimet kyçe nuk u bazuan në meritë, por në pëlqime politike dhe klienteliste. Asnjë drejtues i rëndësishëm nuk u emërua pa dijeninë dhe bekimin e interesave jashtë RTSH-së.
Një nga plagët më të rënda ka qenë mungesa e kritereve profesionale në drejtim. Drejtimi i një ndërmarrjeje publike kombëtare me buxhet shtetëror dhe përgjegjësi të lartë shoqërore nuk mund t’u besohet individëve pa formim akademik serioz, pa përvojë menaxheriale, pa botime, pa kontribute intelektuale dhe pa vizion institucional.
Pyetjet që nuk janë bërë kurrë publikisht mbeten ende pa përgjigje: Me çfarë CV-je janë emëruar drejtuesit e RTSH-së? Çfarë institucionesh kanë drejtuar më parë dhe me çfarë rezultatesh? Çfarë i kanë dhënë konkretisht RTSH-së dhe publikut shqiptar?
Pasojat janë të dukshme dhe të rënda: rënie dramatike e shikueshmërisë, humbje e besimit publik, falimentim financiar kronik dhe zhdukje e misionit kulturor e edukativ të RTSH-së. Sot ky institucion nuk përfaqëson më zërin e qytetarëve, por simbolin e dështimeve të tranzicionit.
Ironikisht, ata që për vite me radhë e kanë shfrytëzuar RTSH-në, sot shfaqen si opinionistë dhe “mbrojtës” të saj, pa asnjë ndjesi përgjegjësie morale. Riciklimi i të njëjtëve emra dhe të njëjtave rryma ka prodhuar vetëm dështim dhe ka çuar institucionin në këtë gjendje.
Zoti Kryeministër,
Në këtë fazë, zgjidhja nuk është as mbyllja dhe as shitja e RTSH-së. Zgjidhja është ndërhyrja e menjëhershme dhe reforma rrënjësore.
Ju lutem publikisht: – mos vononi më ndërhyrjen institucionale; – ndërprisni zvarritjen formale; – vendosni një administrim të përkohshëm profesional; – nisni audit të plotë financiar, editorial dhe administrativ; – hapni konkurs real, transparent dhe me kritere të forta për drejtimin e RTSH-së.
Mbështetja ime në këtë rast nuk është politike, por institucionale dhe qytetare. Vetëm një vullnet i fortë politik mund të thyejë rrjetin 30-vjeçar të interesave që e kanë falimentuar RTSH-në. Jo për ta kapur, por për ta çliruar dhe rindërtuar si media publike e qytetarëve shqiptarë.
RTSH ende mund të shpëtohet, por jo me vonesa. Koha e improvizimit ka mbaruar. Ky institucion ka nevojë për vendime të forta, urgjente dhe historike.
Me respekt,
Flamur Buçpapaj

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top