Letër e hapur për Presidentin Donald Trump
Flamur Buçpapaj


Subtitull:
Ju lutem të ndërhyni në Shqipëri për drejtësi dhe rivendosjen e dinjitetit të të përndjekurve politikë
I nderuar President Trump,
Unë, Flamur Buçpapaj, qytetar shqiptar dhe themelues i lëvizjes për demokraci në Shqipëri, ju drejtohem me këtë letër të hapur për të tërhequr vëmendjen tuaj ndaj situatës dramatike që ka përjetuar brezi im dhe shumë të tjerë që luftuan për liri dhe demokraci.
Rrëfimi dhe sakrificat
Ne, brezi që themeloi demokracinë, nuk u gëzuam thjesht të drejtën për të folur, por u përndoqëm politikisht si popull. Mbaj mend qartë se u përjashtuam nga shkolla për shkak të biografisë. Shkova në gjimnaz njësoj si nxënësit e mbetur, megjithatë unë i kisha të gjitha dhjetat.
Rrugën e bëja në këmbë, në borë, shi dhe ngricë, nga Tropoja në Fierzë, dimër e verë, pa asnjë mjet udhëtimi. Studimi ishte i kufizuar dhe jashtëzakonisht i vështirë për t’u përballuar. Ku mund të studioje pas gjithë atyre përjashtimeve, duke ecur në këmbë dhe shpesh pa ushqim? Partia nuk na donte, por nuk donte të binte në sy; ajo urdhëronte mësuesit të na shkatërronin jetën.
Për shembull, mësuesi i fizikës ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, nga fshatrat e Malësisë së Madhe, me institut trevjeçar. Ishte negativ dhe i poshtër. Ne u përballëm me mësues të tillë dhe jo vetëm me të. Të tjerët na shikonin përmes “syve të biografisë”, duke na stigmatizuar për origjinën dhe të kaluarën tonë. Ai përfundoi në plehrën e vet, ndërsa unë vazhdova shkollën e lartë.
Edhe aty na ndiqte biografia. Pedagogu i historisë së mesjetës ishte një njeri negativ, sigurims, i paditur, por me pushtet për të dërguar njerëz në burg për t’i shërbyer regjimit. Unë nuk doja të shkoja në atë fakultet, por nuk kisha asnjë mundësi tjetër.
Përndjekja dhe rezistenca
Spiunimi vazhdonte, sidomos ndaj meje. Nuk më duronte dot sepse shkruaja në gazetën e Shkodrës Jeta e Re, në Radio Shkodra dhe shpesh edhe në organet qendrore. Për këto shkrime merrja honorar për të përballuar jetën si student. Ai donte të dukej në gazeta, por unë kurrë nuk pranova t’i bëja intervista. Përplasjet tona ishin aq të forta sa shpesh përfundoja në rajonin e policisë së Shkodrës për shkak të denoncimeve të fshehta të tij.
Në vitet 1989–1990 isha gati të dilja hapur kundër sistemit, dhe dola. Me shumë shokë të konviktit flisnim hapur kundër regjimit, sidomos për kushtet çnjerëzore në konviktin famëkeq të Zdrales në Shkodër. Kur nisën lëvizjet studentore, përplasjet me policinë u bënë të pashmangshme.
Demonstrata e parë antikomuniste e 13 dhjetorit u organizua në konviktin tonë dhe organizator isha unë. Studentët dolën të rreshtuar në varg nga konvikti drejt institutit për të paralajmëruar popullin e Shkodrës se do të bënim rezistencë.
Qytetarët e përndjekur të Shkodrës u bashkuan me ne, si në djegien e monumentit të Enver Hoxhës, ashtu edhe të librarisë. Unë u përballa drejtpërdrejt me Xhemal Dymyllën; në auditor nuk foli askush tjetër, sepse frika dhe arrestimi të prisnin te dera.
Populli na mbështeti dhe demonstrata e 13 dhjetorit u bë simbol. Përveç meje, u arrestuan edhe Nazmi Peka, Arben Çeliku, Amo Fanko, studentja Mjalinda dhe të tjerë. Unë u rraha aq rëndë sa që qëndrova një muaj në reanimacion në spitalin e Shkodrës. Ishte Azem Hajdari ai që më vizitoi dhe mundësoi lirimin tim.
Unë organizova dhe udhëhoqa grevën e urisë kundër Partisë së Punës dhe Ramiz Alisë. Por studentët e tjerë të Shkodrës nuk u përfshinë dhe nuk dolën kurrë hapur kundër Partisë. Kur shkova te Pjetër Arbnori për të themeluar Partinë Demokratike, ai më tha: “Mos hajde më, se të denoncoj”. Askush nuk më përkrahu. Ata që më vonë u bënë deputetë dhe drejtues të lartë, më kishin denoncuar më parë te Sigurimi i Shtetit.
Pas rënies së komunizmit dhe padrejtësitë
Pas rënies formale të komunizmit ndodhi paradoksi historik: asnjë nga ne që e themeluam realisht Partinë Demokratike nuk mori poste drejtuese. U përjashtuam sipas logjikës së “Katovicës”, riciklimi i elitave të vjetra nën petkun e pluralizmit.
Asnjë prej nesh nuk u bë ministër, drejtor i përgjithshëm apo vendimmarrës. Ndërkohë, individë me lidhje me Sigurimin e Shtetit dhe Byronë Politike u bënë deputetë, drejtues dhe përfitues të pasurisë publike. Ne, që u rrahëm dhe u përndoqëm, mbetëm jashtë çdo strukture.
Shumë prej nesh sot jetojnë në varfëri, të izoluar, shpesh pa familje. Sistemi u kujdes që të mos merrnim as poste, as prona, por vetëm një rrugë: largimin nga Shqipëria. Emigrimi u bë një zgjidhje e imponuar.
Përvoja ime në SHBA
Pas përfundimit të shkollës, u angazhova në shërbimin informativ si oficer i lartë në aparatin qendror. Jam bashkëthemelues i Shërbimit Informativ Kombëtar në Shqipëri, në një kohë kur nuk kishte as zyra, as tavolina, as makina shkrimi, as kushte minimale pune.
U specializova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe aty u përballa me spiunë në role të larta, që luanin të njëjtin rol si ata që kisha lënë në Shkodër dhe Fierzë. Na spiunonin dhe na përjashtonin nga puna. Kryetari dhe nënkryetarët ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit dhe sollën edhe të tjerë si Ymer Calamani.
Po ashtu, ish-ministrja patronazhiste Margariti tentoi të marrë godinën e Nacionalit për të ndërtuar një kullë 50-katëshe, ku 22 hyrje do t’i përkisnin asaj dhe stafit të saj. Unë kam qenë dhe jam për shërbim informativ perëndimor, jo partiak, me synimin që Shqipëria të ngjasojë me shoqëritë perëndimore dhe SHBA-në.
Pas kësaj, u largova në SHBA. Mbarova shkollën, mora shtetësinë amerikane dhe botova shumë shkrime, libra dhe studime shkencore, si atje ashtu edhe në Shqipëri. Sot them se ka Zot. Unë jam në rregull me gjithçka. Ata që më sulmuan kanë mbetur askund, vetëm në hapësirën e jashtëqitjeve të tyre morale.
Konkluzione dhe apel
Demokracia shqiptare u ndërtua mbi sakrifica reale, por u administrua nga oportunistë. Pa ndarje të qartë nga e kaluara kriminale, pa drejtësi historike dhe pa llogaridhënie, demokracia mbetet formale dhe e brishtë.
Kjo letër është një dëshmi historike dhe një apel moral. Shqipëria ka nevojë për pastrim institucional, për ndarje përfundimtare nga trashëgimia e Sigurimit dhe e Byrosë Politike, dhe për rivendosjen e dinjitetit të të përndjekurve politikë.
Ju lutem, President Trump, ndërhyni që drejtësia dhe dinjiteti i shqiptarëve të përndjekur të rikthehen dhe Shqipëria të mos mbetet peng i elitave që shfrytëzojnë trashëgiminë komuniste për përfitime personale.
E vërteta mund të vonojë, por nuk humbet. Pa kujtesë, demokracia rrezikon të kthehet në farsë.
Me respekt,
Flamur Buçpapaj
Ish-kryetar i grevës së urisë dhe i lëvizjes studentore, Shkodër 1991